Maqedoni
Dita e Luftës Revolucionare Maqedonase, Siljanovska: Trashëgimia historike, detyrim
23.10.2026 14:59
Presidentja Gordana Siljanovska – Davkova dhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi kanë uruar Ditën e Luftës Revolucionare Maqedonase....

Presidentja Gordana Siljanovska – Davkova ka uruar Ditën e Luftës Revolucionare Maqedonase, datë e cila shënohet që nga vitit 2007. Theksoi se nuk mund ta kremtojmë shtetësinë, ndërsa harrojmë brezat që kanë vendosë themelet e saj.
“Respekti ndaj paraardhësve ka kuptim vetëm kur idealet e tyre të larta i shndërrojmë në drejtësi, solidaritet dhe përkushtim ndaj së mirës së përbashkët. Trashëgimia historike nuk është vetëm arsye për krenari, por edhe detyrim për ta përparuar shtetin dhe për të ndërtuar një shoqëri në të cilën e drejta, drejtësia dhe morali do të jenë realitet.”, tha Siljanovska Davkova në urim.
Gashi: Përgjegjësi për unitet dhe vlera evropiane
Sipas kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, kjo datë e rëndësishme kujton qëndrueshmërinë, guximin dhe përpjekjet e brezave para nesh për liri, dinjitet dhe shtetësi të pavarur.
“Lufta dhe sakrifica e tyre përbëjnë një pjesë të rëndësishme të themelit historik mbi të cilin sot ndërtojmë të ardhmen tonë të përbashkët. Shënimi i 23 Tetorit është një mundësi për të kujtuar me respekt të kaluarën, por edhe për të riafirmuar përgjegjësinë tonë të përbashkët për ndërtimin e një shoqërie demokratike, të qëndrueshme dhe të begatë, të mbështetur në respektin e ndërsjellë, unitetin dhe vlerat evropiane. Vetëm të bashkuar rreth interesave të përbashkëta dhe duke respektuar dallimet, mund të ndërtojmë një shtet ku çdo qytetar të ndihet i barabartë, i sigurt dhe i respektuar.”, deklaroi Gashi.
Çmimi Shtetëror “23 Tetori” sivjet iu nda aktorit Gjorgji Jolevski për arritje në fushën e kulturës dhe artit, ndërsa laureatë për arritje në sferën e shkencës janë historiani prof. dr. Stojko Stojkov dhe arkeologu, prof. dr. Viktor Lilçiq Adams.
VLORA LATIFI TOPOJANI
