Arsim, mungesë tekstesh në shkollat profesionale

23.10.2026 17:05

Gati dy muaj nga fillimi i vitit të ri shkollor, mungesa e teksteve shkollore vazhdon të mbetet një problem serioz në shkollat e Tetovës...

Gati dy muaj nga fillimi i vitit të ri shkollor, mungesa e teksteve shkollore vazhdon të mbetet një problem serioz në shkollat e Tetovës. Në veçanti, shkollat profesionale përballen me mungesë të theksuar të librave për lëndët profesionale, duke i detyruar mësimdhënësit ta zhvillojnë procesin mësimor përmes skriptave, shënimeve dhe librave të vjetër. Drejtoresha e ShMEK “8 Shtatori”, Hava Asani, thotë se këtë vit shkollor shkolla është furnizuar vetëm me tekste për gjuhët e huaja, ndërsa për drejtimet e tjera mungojnë plotësisht librat.
 
“Për këtë vit shkollor janë sjellë libra vetëm për gjuhët e huaja, si gjuhën angleze, gjermane dhe frënge. Mirëpo, për lëndët profesionale nuk kemi fare libra. Kemi drejtimet ekonomike, juridike dhe të marketingut digjital, por asnjëri prej tyre nuk ka tekste shkollore. Marketingu digjital është drejtim i ri, i hapur vitin e kaluar në shkollën tonë. Megjithatë, që nga viti i kaluar e deri më sot, vazhdon e njëjta problematikë dhe nuk jemi furnizuar me libra për këtë drejtim. E njëjta gjendje është edhe në lëndët ekonomike dhe juridike, ku mungojnë plotësisht tekstet shkollore. Profesorët mundohen të gjejnë zgjidhje në çdo mënyrë. Ata përdorin librat e viteve të kaluara, të cilët tashmë janë të amortizuar, si dhe përpiqen të gjejnë alternativa të tjera për të punuar me nxënësit.”, - deklaroi drejtoresha e ShMEK “8 Shtatori”, Hava Asani. 
 
Për mungesën e teksteve shkollore janë në dijeni edhe në Sektorin për Arsim në Komunën e Tetovës. Përfaqësuesit e këtij sektori pranojnë se shkollat profesionale kanë mungesë të madhe të librave, ndërsa përgjegjësinë për furnizimin me tekste shkollore ia atribuojnë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Sipas tyre, të gjitha shkollat kanë dorëzuar kërkesat përkatëse pranë ministrisë.
 
“Në lëndët profesionale nuk kemi tekste shkollore, ndaj vetë profesorët, përmes skriptave, arrijnë ta menaxhojnë orën mësimore.”, - theksoi udhëheqësi i Sektorit për Arsim, Valedin Ademi.
 
Përveç shkollave të Komunës së Tetovës, mungesa e theksuar e teksteve shkollore është e pranishme edhe në Shkollën Shtetërore “Mosha Pijade”. Nxënësit e kësaj shkolle vazhdojnë të përballen me mungesë të madhe të librave. Sipas udhëheqësve, nxënësit shumë shpejt do të kenë libra.
 
“Realisht, nxënësit do t’i kenë librat shumë shpejt, pasi procesi është në vijim e sipër dhe dinamika me të cilën Ministria i është përgjigjur kërkesës sonë është në nivelin e duhur. Ekzistojnë disa lëndë profesionale ku kemi problem me mungesën e librave, por për shkak se jemi shkollë profesionale, nga ana e mësimdhënësve nuk ka mungesë të njësive mësimore, por vetëm mungesë të librit fizik.”, - deklaroi Faton Mustafa nga “Mosha Pijade”.
 
Mungesa e teksteve shkollore mbetet një problem që përsëritet vit pas viti, ndërsa nxënësit detyrohen të ndjekin mësimin pa literaturën e nevojshme. Pavarësisht kërkesave të shkollave dhe pranimit të problemit nga institucionet lokale, zgjidhja vazhdon të mungojë. Përgjegjësia për sigurimin e librave mbetet te institucionet kompetente, ndërsa pasojat e drejtpërdrejta i përjetojnë nxënësit dhe mësimdhënësit, të cilët detyrohen ta zhvillojnë procesin arsimor në kushte të vështirësuara.
 
VISAR SADIKI