Sali takon komisioneren Kos, integrimi gradual, përfitime konkrete
23.10.2026 17:51
Sali përshëndeti Komunikimin e Komisionit Evropian, “Preparing for a Wider Union”...

Perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut, zhvillimet e fundit në politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian, zbatimi i Agjendës së Reformave dhe mundësitë për integrim më të shpejtë dhe gradual në politikat dhe programet evropiane janë diskutuar në takim bilateral mes zëvendëskryetarit të Parë të Qeverisë dhe ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali dhe komisioneren Evropiane për Zgjerim, Marta Kos. Ministri Sali përshëndeti Komunikimin e Komisionit Evropian, “Preparing for a Wider Union”, duke theksuar rëndësinë e një procesi zgjerimi më të parashikueshëm, të bazuar në merita dhe në rezultate të matshme.
“Në Bruksel zhvilluam takime me komisionerët Marta Kos dhe Magnus Brunner, drejtorin e përgjithshëm Gert Jan Koopman dhe presidentin e Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian, Séamus Boland. Bisedimet u përqendruan te reformat, integrimi gradual në Bashkimin Evropian, bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe përfshirja e shoqërisë civile. Ngritëm edhe nevojën për zgjidhje praktike të vështirësive me të cilat përballen transportuesit tanë në zonën Shengen. Perspektiva evropiane duhet të shndërrohet në një realitet praktik edhe para anëtarësimit synojmë që qytetarët, bizneset dhe shoqëria civile të lidhen gjithnjë e më shumë me Bashkimin Evropian, ndërkohë që ne vazhdojmë të punojmë drejt anëtarësimit të plotë.”, theksoi Sali për TVM2.
Në takim u trajtua edhe zbatimi i Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe Agjendës së Reformave. Ministri nënvizoi se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar ndaj reformave në sundimin e ligjit, administratën publike, digjitalizimin, energjinë dhe konkurrueshmërinë ekonomike.
Vëmendje e veçantë iu kushtua përfitimeve të prekshme të integrimit gradual, përfshirë pjesëmarrjen në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), mundësinë e zgjerimit të modelit “Roam Like at Home” dhe bashkëpunimin në fushën e transformimit digjital.
Ministri Sali theksoi gjithashtu rëndësinë e Kornizës së ardhshme Financiare Shumëvjeçare 2028–2034, e cila duhet të sigurojë mbështetje të qëndrueshme, të parashikueshme dhe të orientuar drejt rezultateve për vendet kandidate.
Mesazhet e zyrtarëve të institucioneve të Bashkimit Evropian janë se politika e zgjerimit vazhdon, ndërkaq inkurajojnë aspiruesit që të vazhdojnë me reformat dhe detyrat e tyre.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
