Ekonomi

Rriten çmimet e naftës dhe gazit, bien aksionet e kompanive të teknologjisë

23.10.2026 18:24

Tregjet financiare në botë, shfaqën sot shenja qetësimi...

Tregjet financiare botërore kanë shfaqur sot shenja stabilizimi pas rënies së fortë të aksioneve të kompanive të teknologjisë, të nxitur nga shqetësimet për kostot e larta të investimeve në inteligjencën artificiale. Ndërkohë, çmimet e naftës dhe gazit kanë vazhduar të rriten për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme, raporton Reuters.
 
Çmimi i naftës Brent arriti në 114 dollarë për fuçi, niveli më i lartë në pesë muaj. Rritja lidhet me shqetësimet për furnizimin global, pas sulmeve të raportuara të rebelëve Huthi ndaj Arabisë Saudite dhe informacioneve për plane të mundshme amerikane dhe izraelite për sulme të reja ndaj Iranit.
 
Edhe çmimi i gazit natyror në Evropë u rrit me 4 për qind, duke shënuar një rritje të përgjithshme prej afro 30 për qind që nga fillimi i muajit.
 
Ndërkohë, shqetësimet për shpenzimet e mëdha që kërkon zhvillimi i inteligjencës artificiale kanë ndikuar negativisht në bursat amerikane. Indeksi Nasdaq shënoi një rënie prej 2,6 për qind, më e madhja ditore që nga qershori, ndërsa indeksi i kompanive të gjysmëpërçuesve ra me afro 7 për qind.
 
Aksionet e kompanisë Meta humbën gati 8 për qind të vlerës, ndërsa ato të kompanisë CoreWeave ranë me 10 për qind, duke arritur nivelin më të ulët që nga maji i vitit 2025.
 
Në tregjet aziatike, indeksi japonez Nikkei ra me 0,3 për qind, ndërsa indeksi kinez CSI300 u rrit me 1,7 për qind. Edhe indeksi Hang Seng në Hong Kong shënoi rritje prej 0,7 për qind, pas rënies së një dite më parë.
 
Ekspertët financiarë vlerësojnë se tregjet po kalojnë një periudhë korrigjimi pas rritjes së fortë të aksioneve të teknologjisë. Megjithatë, sipas tyre, është ende herët të flitet për një rënie të përgjithshme të bursave, pasi fitimet e kompanive dhe treguesit ekonomikë mbeten relativisht të qëndrueshëm.
 
Analistët theksojnë se investimet në inteligjencën artificiale do të vazhdojnë, por investitorët po tregohen më të kujdesshëm në vlerësimin e kostove, mundësive dhe rreziqeve që lidhen me këtë sektor.