Botë
SHBA, dy ish-zyrtarë të FBI-së akuzohen për deklarata të rreme në hetimin për Hunter Biden
23.10.2026 19:22
Departamenti amerikan i Drejtësisë ka ngritur akuza penale ndaj dy ish-zyrtarëve të lartë të FBI-së...

Departamenti amerikan i Drejtësisë ka ngritur akuza penale ndaj dy ish-zyrtarëve të lartë të FBI-së, Nikki Floris dhe Bradley Benavides, të cilët dyshohen se kanë dhënë deklarata të rreme para Kongresit lidhur me rolin e tyre në hetimet për laptopin e Hunter Biden, djalit të ish-presidentit amerikan Joe Biden.
Sipas dokumenteve gjyqësore të publikuara më 23 tetor, të dy ish-zyrtarët akuzohen se kanë dhënë dëshmi të pavërteta para Komisionit Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve në vitin 2023. Ata u dorëzuan te autoritetet dhe u paraqitën të premten para një gjykate federale në Uashington.
Akuzat lidhen me veprimtarinë e grupit të posaçëm të FBI-së për ndikimin e huaj, i njohur si Foreign Influence Task Force, dhe përfshirjen e tij të mundshme në hetimet që kishin të bënin me Hunter Biden përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Nikki Floris, e cila drejtoi këtë njësi nga mesi i vitit 2019 deri në mesin e vitit 2022, dyshohet se kishte deklaruar para Kongresit se nuk kishte marrë pjesë në diskutime lidhur me Hunter Biden. Ndërkohë, Bradley Benavides kishte dëshmuar se për ekzistencën e laptopit kishte mësuar vetëm në vitin 2023, përmes një artikulli në Wikipedia.
Prokurorët pretendojnë se dokumentet, komunikimet e kohës dhe dëshmitë e personave të tjerë bien ndesh me deklaratat e dy ish-zyrtarëve. Drejtuesja e Prokurorisë Federale në Uashington, Jeanine Pirro, deklaroi se zyrtarët që japin dëshmi të rreme para Kongresit duhet të mbajnë përgjegjësi, pavarësisht pozicioneve që kanë mbajtur.
Çështja e laptopit të Hunter Biden mori vëmendje të madhe gjatë fushatës presidenciale të vitit 2020, pasi gazeta New York Post publikoi materiale që pretendonte se përmbanin komunikime lidhur me aktivitetet e tij të biznesit jashtë vendit. Në atë kohë, rrethanat e publikimit ngritën shqetësime për mundësinë e ndërhyrjes dhe dezinformimit të huaj.
Akuzat e reja vijnë në një periudhë tensionesh politike në Shtetet e Bashkuara, pak ditë përpara zgjedhjeve të mesmandatit të 3 nëntorit. Çështja është pjesë e një shqyrtimi më të gjerë të veprimtarisë së mëparshme të FBI-së, të ndërmarrë nën drejtimin e Kash Patel.
Dy ish-zyrtarët përballen me akuza penale, ndërsa përgjegjësia e tyre mbetet për t'u përcaktuar nga gjykata.
