Botë

Në Bruksel takohen Mustafa e Vuçiç, priten marrëveshje të reja

23.06.2015 12:01

Kryeministrat, Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq, bashkë me delegacionet e tyre, ku bëjnë pjesë edhe nënshkruesit e marrëveshjes historike të 19 prillit 2013...

Kryeministrat, Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq, bashkë me delegacionet e tyre, ku bëjnë pjesë edhe nënshkruesit e marrëveshjes historike të 19 prillit 2013, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq takohen sot në Bruksel, në një takim i cili po vlerësohet shumë i rëndësishëm.

Takimi i sotëm, për të cilin vet kryeministri serb ka deklaruar se do të tërheq vëmendjen e gjithë politikës evropiane, për nga pesha është vlerësuar si më i rëndësishmi pas atij të 19 prillit 2013, ku Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, në cilësinë e kryeministrave të dy shteteve, nënshkruan marrëveshjen e Brukselit, e cila u cilësua si historike. Si derivat i asaj marrëveshje, Kosova e Serbia për më shumë se dy vite kanë zhvilluar negociata për të arritur marrëveshje të reja, të cilat për bazë kanë atë të 19 prillit.

Takimi i sotëm në Bruksel po vlerësohet si me peshë të madhe për faktin se Bashkimi Evropian, por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po presin nga Kosova dhe Serbia që të nënshkruajnë disa prej marrëveshjeve të cilat i hapin rrugë bashkëpunimit mes dy vendeve fqinje, e indirekt edhe forcojnë bashkëpunimin rajonal jo vetëm mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe vendeve tjera të rajonit, kërkesë kjo kryesore e Brukselit për integrim në BE të Ballkanit Perëndimor.