Tensionet përfshijnë Lindjen e Mesme, SHBA kërcënon Iranin, Egjipti kërkon siguri rajonale

24.10.2026 21:31

Tensionet në Lindjen e Mesme nuk kanë të ndalur...

Tensionet në Lindjen e Mesme nuk kanë të ndalur. Presidenti amerikan kërcënon Iranin me sulme të reja, Izraeli vijon operacionet në territoret palestineze, ndërsa në Jordani janë shtuar shqetësimet pas një sulmi ndaj një kishe, ku u vranë shtatë persona dhe u plagosën 40 të tjerë. 

Shërbimet amerikane të inteligjencës paralajmëron për intensifikimin e përpjekjeve të Iranit për të goditur personelin amerikan në Lindjen e Mesme dhe në vende të tjera. Ndërkohë presidenti amerikan, Donald Trump, paralajmëroi mundësinë e një operacioni të ri ushtarak, nëse diplomacia dështon. Ndërkohë, pengesat në Ngushticën e Hormuzit kanë ndërprerë transportin detar dhe kanë shtuar presionin mbi tregjet e energjisë.

“Ne mund të ndërmarrim edhe një tjetër operacion të vogël ‘Furia Epike’, ose ata do të bien dakord. Nëse janë të zgjuar, thjesht do të thonë: ‘Le t’i hyjmë punës.’ Por, e dini, dyshoj se do ta bëjnë këtë, sepse ndoshta nuk janë të zgjuar. Megjithatë, ne i kemi goditur rëndë.” – u shpreh Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.                  

Në Hebron, në Bregun Perëndimor të pushtuar, autoritetet izraelite urdhëruan izolimin e qytetit dhe paralajmëruan bastisje shtëpi më shtëpi, pas vrasjes së dy ushtarëve izraelitë në një pikë kontrolli.

Kombet e Bashkuara shprehën shqetësim për kufizimet e vendosura ndaj popullsisë palestineze. Shqetësime për sigurinë janë ngritur edhe në Jordani, pas një sulmi me armë ndaj një kishe në Karak, ku u vranë të paktën shtatë persona dhe u plagosën 40 të tjerë.

“Personat përgjegjës për këtë akt kriminal që u mori jetën civilëve nuk do t’i shpëtojnë ndëshkimit.” – deklaroi Kryeministri i Jordanisë, Jaafar Hassan.

Pas këtyre zhvillimeve dhe situatës së tensionuar, Egjipti kërkon forcimin e sigurisë rajonale, duke propozuar një mekanizëm të përbashkët me Turqinë, Pakistanin dhe Arabinë Saudite për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë në rajon.

“Hapi i parë duhet të jetë puna e përbashkët e R4, pra e Turqisë, Pakistanit, Arabisë Saudite dhe Egjiptit. Ata duhet të ulen së bashku, dhe kjo është ajo që po përpiqemi të bëjmë tani, për të hartuar një vizion të përbashkët mbi marrëveshjet e sigurisë dhe arkitekturën e ardhshme të sigurisë në rajon. Ky mekanizëm duhet të jetë i hapur për të gjitha vendet e rajonit, por me kusht që ato të pranojnë parimet e miratuara nga R4 dhe vendet e tjera të rajonit.” – u shpreh Ministri i Jashtëm i Egjiptit, Badr Abdelatty.


Zhvillimet në rajon vijojnë të ndikojnë në sigurinë ndërkombëtare dhe ekonominë globale. Përpjekjet diplomatike, situata në territoret palestineze dhe rreziku i përballjes së drejtpërdrejtë mes SHBA-së dhe Iranit mbeten çështjet kryesore që mund të përcaktojnë ecurinë e krizës. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)