Dragan Cvetanovski: Presim zgjidhje për rrugën në Vizbeg prej 20 vitesh

25.10.2026 17:30

Zona Ekonomike e Vizbegut...

Rruga “Hasan Prishtina” në zonën industriale të Vizbegut është një problem që bizneset e presin të zgjidhet prej afro 20 vitesh. Kështu deklaroi Dragan Cvetanovski, kryetar i Shoqatës së Afaristëve në Zonën e Vizbegut, në emisionin “Pas Numrave” në TVM2.

Ai tha se që nga viti 2005, kur ka ardhur në këtë zonë, për ndërtimin e rrugës është folur vazhdimisht, ndërsa gjatë kësaj periudhe kanë kaluar shumë ministra, kryeministra dhe kryetarë komunash, pa u zgjidhur problemi.

Cvetanovski shprehu shpresën se kësaj radhe do të fillojë zgjidhja e çështjes, duke iu referuar paralajmërimeve për intensifikimin e punimeve në këtë segment. Ai theksoi se pret që projektet të mos zvarriten sërish, siç ka ndodhur në të kaluarën.

Qyteti i Shkupit për TVM2: Bulevardi „Hasan Prishtina“ në fazën e projektimit, ndërtimi varet nga shpronësimi

Bulevardi “Hasan Prishtina”, që pritet të lidhë zonën e Vizbegut me infrastrukturën rrugore të Shkupit, është në fazën e ndryshimeve të projektit, ndërsa nisja e ndërtimit varet nga përfundimi i procedurave të shpronësimit.

Kështu ka bërë të ditur Qyteti i Shkupit për TVM2, duke theksuar se pas përfundimit të këtyre proceseve do të nisin procedurat e prokurimit publik për ndërtimin e bulevardit.

Sipas Qytetit të Shkupit, kryetari Orce Gjorgjievski dhe kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, kanë zhvilluar një takim me biznesmenët e zonës industriale “Vizbeg”, ku është arritur një marrëveshje parimore me palët e prekura.

Sipas marrëveshjes, pëlqimet për shpronësimin e pronave pritet të jepen deri në fund të këtij viti, me qëllim që ky proces të mos e pengojë realizimin e projektit.

Ndryshimet e projektit parashikojnë ndërtimin e një rrethrrotullimi të madh në kryqëzimin me bulevardin “Sllovenia”, katër korsi për qarkullimin e automjeteve, si dhe hapësira të dedikuara për biçiklistët dhe këmbësorët, të shoqëruara me zona të gjelbra.

Ndërkohë, sa u përket projekteve të tjera infrastrukturore në këtë pjesë të Shkupit, Qyteti bën të ditur se fokusi është te ndërtimi i nyjës rrugore në Momin Potok dhe lidhja e saj me bulevardin “Sllovenia”, si dhe te ndërtimi i bulevardit “Brigada Maqedono-Kosovare” në Çair.

Sami Morina: Jemi ankciozë se si do të lidhet Vizbegu me autostradën Shkup-Bllacë

Kryetari i OEMVP-së, Sami Morina, në emisionin “Pas Numrave” në TVM2, shprehu optimizëm për ndërtimin e rrugës “Hasan Prishtina” në Vizbeg, por ngriti shqetësime për mungesën e informatave lidhur me mënyrën se si kjo zonë industriale do të lidhet me autostradën Shkup-Bllacë.

Sipas Morinës, ende nuk ka informacione të qarta nëse Vizbegu do të lidhet drejtpërdrejt me autostradën apo nëse qarkullimi do të anashkalohet përmes një traseje tjetër.

Ai theksoi se kjo paqartësi krijon shqetësim për bizneset, pasi lidhja me infrastrukturën kryesore rrugore është e rëndësishme për funksionimin dhe zhvillimin e tyre.

Kaltrina Zekolli-Shaqiri: Rruga e Vizbegut do të lidhet me autostradën Shkup-Bllacë

Zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli-Shaqiri, në emisionin “Pas Numrave” në TVM2, sqaroi se lidhja e zonës industriale të Vizbegut me autostradën Shkup-Bllacë do të realizohet përmes qarkores, ku përfundon traseja e autostradës.

Sipas saj, rruga e Vizbegut do të lidhet me këtë qarkore, e cila do të mundësojë edhe lidhjen me autostradën Shkup-Bllacë. Kjo lidhje pritet të ketë rëndësi për qarkullimin dhe qasjen e bizneseve të zonës industriale në infrastrukturën kryesore rrugore.