Tregu i gjelbërt në Tetovë, tregëtarët ankohen se po dëmtohen nga shitësit jashtë tregut

25.10.2026 17:35

Tregu i gjelbërt i Tetovës ka tezga të zbrazëta, por disa tregtarë zgjedhin të shesin jashtë tregut, përkatësisht në trotuare...

Në Tregun e Gjelbërt të Tetovës ka gjithsej 360 tezga, prej të cilave rreth 130 janë krejt të lira. Pasi hapësirë ka për të gjithë, prapë se prapë problem i madh mbetet shitja në rrugë. Nga tregu thonë se të gjithë ata që shesin jashtë mund të hyjnë brenda, por duke ndejtur në rrugë po u bëjnë dëm të madh tregtarëve që paguajnë rregullisht.

"Përafërsisht tregu disponon me 360 tezga, ku kuptohet se 120 deri 130 përafërsisht janë të lira. Edhe pse ato nuk duken të lira, për arsye se shfrytëzuesit që janë brenda paguajnë shembull një tezgë dhe shfrytëzojnë dy ose tre tezga për arsye se janë të lira. Të gjithë ato që janë të interesuar që shesin jashtë, mund të drejtohen te zyrat tona dhe ne do t'u ofrojmë tezga të lira. Por është e vërtetë se bëjnë problem për arsye se këto që janë brenda paguajnë rezervime për tezga dhe kanë shitje më pak, për arsye se njerëzit kalojnë në rrugë dhe blejnë në rrugë, nuk hyjnë të shfrytëzojnë tezgat që janë brenda." – tha Avzi Rizvani, përgjegjës i tregut.

Tregtarët brenda janë të revoltuar. Ata thonë se shitja ka rënë shumë dhe nuk po nxjerrin dot as paratë e qirasë, ndërsa ata që shesin në trotuare nuk kanë asnjë harxhim.

"Pengesë e madhe vëlla. Ne e paguajmë qiranë, paguajmë gjithçka, shitja është e dobët. Katastrofë kjo! Ata as qira nuk paguajnë, asgjë. Ne çdo muaj duhet ta paguajmë qiranë, shitja është e dobët. Gjëja është shumë normale se njeriu ndalet me veturë, i merrin gjërat edhe ikën. Këtu as parking nuk ka, asgjë s'ka. Kjo është e gjitha vëlla. Ne marrim mall, nuk shitet malli. Mundohemi, pengojnë, me të madhe pengojnë ata jashtë. Sa më parë të bëjmë thirrje deri te kryetari i komunës. Ne kemi, sepse është shumë më mirë se të gjithë këto qiraadhënës që paguajnë qiranë, më kupton? Këtu kanë mbetur 200-300 familje që paguajnë, kurse ata atje jashtë pengojnë. Kjo është e gjitha." – tha një shitës nga tregu i Tetovës.

"Na pengojnë, prapëseprapë na pengojnë! Shitja është më e dobët kjo është? Ne paguajmë qira këtu, paguajmë çfarë është kjo.” – u shpreh një tjetër shitës nga tregu i Tetovës.

Tregtarët e tjerë tregojnë se brenda tregut kushtet janë shumë më të mira, ka higjienë, kamera dhe malli është i sigurt, prandaj kërkojnë që të gjithë të futen brenda e të punojnë me ligj.

“Shitësit pengojnë pak jashtë. Unë vetë jam prodhues. Se unë isha jashtë duke shitur, ata erdhën inspektorët e më thanë 'hyr brenda'. Edhe unë hyra brenda se kishte vend të lirë. 260 denarë në muaj i paguan e nuk maltretohesh në rrugë të lësh aty përpara.  Ajo kjo ishte kohë katastrofë! Tani këtu higjiena është më e mirë, çdo gjë e rregullt, e ruan mallin vetë, me kamera, me gjëra. Nuk e transportojnë çdo ditë mallin prapë në shtëpi. E paketojmë, e lëmë këtu. Shumë nivel e standard brenda tregut! Ata bëjnë gabim. Ndoshta duan të shesin pak më tepër, ama ajo është katastrofë." – deklaroi një shitës tjetër nga tregu i Tetovës.

Tregtarët e Tregut të Gjelbër në Tetovë presin që inspektorët të dalin në terren dhe t'i largojnë shitësit nga rruga, në mënyrë që secili të punojë barabartë e me rregull.

Nga komuna e Tetoves kanë lënë vetëm ditën e enjte të shitet edhe në trotuare pasi që atë ditë është edhe ditë tregu, por ky problem është me vite dhe assesi të gjendet zgjidhje. (Visar Sadiku, TVM2)