Ekonomi
Rishikimi i dytë i Buxhetit për vitin 2026, përplasje mes pushtetit dhe opozitës
26.10.2026 15:48
Gjatë shqyrtimit të rishikimit të Buxhetit për vitin 2026, u përplasën qëndrimet e pushtetit dhe opozitës.

Në Komisionin për Financim dhe Buxhet, gjatë shqyrtimit të rishikimit të Buxhetit për vitin 2026, u përplasën qëndrimet e pushtetit dhe opozitës.
Deputetja e LSDM-së, Sanja Lukarevska, kritikoi projeksionin për rritje ekonomike prej 3,5 për qind, duke e cilësuar tepër optimist dhe të bazuar në supozime joreale, që rrezikojnë mosrealizimin e planifikimeve buxhetore deri në fund të vitit.
“Me rishikimin e dytë të buxhetit për vitin 2026 ruhet projeksioni për rritje reale ekonomike prej 3,5 për qind, edhe pse Banka Botërore e korrigjoi parashikimin për rritjen ekonomike të vendit nga 3 në 3,2 për qind. Projeksioni i Ministrisë së Financave vazhdon të mbetet i lartë. Kjo është e rëndësishme, sepse po bëjmë rishikimin e dytë të një buxheti që sërish bazohet në supozime joreale. Përsëri planifikohet mbi bazën e supozimeve tepër optimiste, gjë që në fund të vitit mund të nënkuptojë sërish mosrealizimin e asaj që është planifikuar.”, - deklaroi Sanja Lukarevska nga LSDM.
Nga ana tjetër, zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski, arsyetoi nevojën për rishikimin e projeksioneve ekonomike me krizën globale dhe pasojat e saj në ekonominë vendase.
“A e kuptojmë vërtet seriozitetin e krizës ekonomike globale dhe pasojat e saj mbi ekonominë vendase, jo vetëm mbi ekonominë tonë kombëtare, por edhe mbi ekonomitë e tjera? Ju paralajmëruat edhe gjatë rishikimit të parë të buxhetit, paralajmëruam edhe ne, ndërsa këtë e theksojnë edhe FMN-ja dhe Banka Botërore, se në rast të çrregullimeve në tregjet financiare, zhvillimeve në sferën ekonomike, situatave gjeopolitike e kështu me radhë, do të ketë rishikime të projeksioneve. Çfarë ka këtu të diskutueshme?”, - theksoi zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski.
FLORIJE KAMBERI
