Klub i vitit – PSG, Kane dhe Putellas fitojnë Topin e Artë

27.10.2026 12:46

Kapiteni i përfaqësueses angleze dhe sulmuesi i Bayern Munichut, Harry Kane, është fituesi i “Topit të Artë”...

Kapiteni i përfaqësueses angleze dhe sulmuesi i Bayern Munichut, Harry Kane, është fituesi i “Topit të Artë” për lojtarin më të mirë të sezonit 2025/26, çmim që ndahet nga revista franceze France Football. Kane bëhet kështu anglezi i pestë që fiton këtë çmim prestigjioz, i cili jepet që nga viti 1956.
 
“Njerëzit shohin rezultatin përfundimtar. Më shohin duke shënuar gola, në fushë, duke fituar ndeshje dhe trofe. Por është shumë e rrallë që njerëzit të shohin se çfarë ndodh prapa skenave dhe çfarë më mundëson të performoj vazhdimisht në nivelin më të lartë.  Nëse dëshiron të jesh në nivelin më të lartë, duhet të sakrifikosh kohë dhe të heqësh dorë nga disa gjëra. Prandaj, mendoj se ky trofe është një shpërblim edhe për të gjithë ata njerëz që janë pjesë e jetës sime.”, u shpreh Harry Kane, fitues i Topit të Artë 2026.
 
Çmimin për lojtarin e ri më të mirë e fitoi spanjolli Lamine Yamal, ndërsa bashkëkombësi i tij, Unai Simón, u shpall portieri më i mirë. Edhe çmimi për trajnerin e vitit shkoi tek një kampion bote, përzgjedhësi i Spanjës, Luis de la Fuente. Klubi më i mirë i vitit u zgjodh Paris Saint-Germain (PSG), kampion i Francës dhe i Evropës.
 
Në konkurrencën e femrave, çmimi për lojtaren e vitit iu dha për herë të tretë në karrierë spanjolles Alexia Putellas. Ajo e kishte fituar këtë çmim edhe në vitet 2021 dhe 2022, kur ishte pjesë e Barcelonës, ndërsa këtë herë e fitoi si futbolliste e London City Lionesses, skuadër ku u transferua gjatë verës.
 
“Jo, nuk e di nëse mund të kishte qenë më mirë se kaq. Ndoshta kishte disa ndeshje që nuk arritëm t’i fitonim, edhe pse mund t’i kishim fituar. Por çdo trofe që ishte brenda mundësive tona, e fituam, dhe e bëmë në mënyrën se si e bëmë. Ishte një vit jashtëzakonisht i veçantë për mua. Mendoj se ishte një vit i përsosur dhe se pothuajse nuk kishte asgjë që mund të përmirësohej.”, u shpreh Alexia Putellas, fituese e Topit të Artë 2026.
 
Në konkurrencën e femrave, të gjitha çmimet e tjera i fitoi Barcelona. Ajo u shpall klubi më i mirë, trajneri i saj, Pere Romeu, u vlerësua si trajneri i vitit, ndërsa Catalina Coll, gjithashtu pjesë e Barcelonës, fitoi çmimin për portieren më të mirë. Çmimi për futbollisten e re më të mirë shkoi për Vicky López. (Gazetar: Safet Ademi)