Maqedoni
Pengohet xhirimi i TVM2 në Sh.M. “Marija Kiri”, Bilgin Hajredini: vetëdijësim për regjistrim në paralelet shqipe
23.06.2015 15:37
Edhe pse ekipi ynë tentoi që profesionalisht të kryej detyrën parësore, informimin e opinionit, në Shkollën e Mesme “Marija Kiri” u pengua xhirimi nga drejtori i Shkollës, Lupço Celeski...

Me ton të lartë ai urdhëroi që të largohet ekipi ynë edhe pse paraprakisht kishim marrë leje për xhirim nga organizatori o paraleleve me mësim në gjuhën shqipe, Bilgin Hajredini. Sjelljen e tij të pahijshme ky drejtor e arsyeton me atë se në këtë shkollë nuk ka përgjegjës për paralelet me mësim në gjuhën shqipe.
“Ne zëvendës nuk kemi, ne kemi vetëm drejtor. A keni parë diku se shkruan zëvendës? Për prezentim të rrejshëm pason përgjegjësia”- tha drejtori në Sh.M. “Marija Kiri”, Lupço Celevski.
Por, sipas organizatorit të paraleleve shqipe, Bilgin Hajredinit, drejtorin e ka shqetësuar fakti se nxënësit janë vetëdijesuar për t’u regjistruar në paralele me mësim në gjuhën shqipe. Nga 14 paralele me mësim në gjuhën maqedonase, vitet e fundit mbushen vetëm 5 paralele, ndërsa 4 paralele zhvillojnë mësimin në gjuhën shqipe.
“Për mendimin tim këtë e shqetëson fakti se nxënësit shqiptarë janë vetëdijësuar nga promovimet e profesorëve shqiptarë të cilët bëjnë apel që semimaturantët të mos regjistrohen në paralelet me mësim në gjuhën maqedonase. Numri i paraleleve me mësim në gjuhën maqedonase ka ra dukshëm, është pesë paralele me 86 nxënës, ndërsa ne kemi 34 nxënës në paralele me mësim në gjuhën shqipe”- deklaroi organizatori i paraleleve me mësim në gjuhën shqipe, Bilgin Hajredini.
Nxënësi thonë se kjo shkollë ofron drejtime atraktive dhe mësim praktik në kuadër të shkollës.
“Ju apeloj të regjistrohen, sepse gjimnazi dhe ekonomia janë mbushur, sepse ka gjëra të mira t’i mësojmë për një të ardhme më të mire”- u shpreh një nxënës.
“Kemi kushte shumë të mira, profesorë që na ndihmojnë në çdo rast dhe përpunojmë projekte, ushtrime me profesorët”- tha një nxënës.
Ekipi ynë vizitoi edhe Sh.M. Profesionale “Dimitra Vllahov”, ku u mirëpritëm nga drejtori, Vanço Bozhinovski. Ai urdhëroi profesorët shqiptarë që të prezantojnë profilet për regjistrim.
“Janë të parashikuara 3 paralele, kozmetikë, frizerë dhe manikyr-pedikyr. Ju kisha preferuar të regjistrohen në këtë shkollës sepse pasi ta kryejnë do mund të punësohen”- theksoi profesori, Rexhep Saljasi.
“Në kohën e sotme kërkohen, në trend është frizura, grimi, shminkat kërkohen, puna praktike realizohet në kushte të mira, kemi dy sallone ondulomi”- u shpreh profesoresha, Hatixhe Ademi.
Rezultatet e regjistrimit dhe vendet e lira nga afati i parl do të shpallen më 24 qershor.
Sipas konkursit të cilin Ministria e Arsimit dhe Shkencës e shpalli në fund të muajit mars, regjistrimi i dytë në afatin e qershorit është më 29 dhe 30 qershor, ndërsa rezultatet e regjistrimit do të shpallen më 1 korrik.
FLUTURA LATIFI
