Botë
Gjykatën Speciale në Kosovë, të premten ndryshimet kushtetuese, opozita kundërshton ashpër
23.06.2015 15:41
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas mbledhjes së kryesisë ka bërë të ditur se të premten do të mbahet seancë kuvendore...

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas mbledhjes së kryesisë ka bërë të ditur se të premten do të mbahet seancë kuvendore, në të cilën do të shqyrtohen ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me themelimin e Gjykatës Speciale.
Sipas Veselit, me këtë askush nuk do ta cenojë sovranitetin e Kosovës, ndërsa ky vendim duhet marrë për ta ruajtur partneritetin me faktorët ndërkombëtarë.
“Kemi një situatë ku gjendemi në mes emocioneve dhe arsyes. Emocionet janë ato që ne na bëjnë krenarë për luftën e lavdishme të UÇK-së, në të njëjtën kohë kemi arsyeshmerinë për faktin se janë ngritur shumë akuza dhe mjegulla, të cilat janë vënë mbi këtë luftë dhe bartësit e UÇK-së. Ne kemi me ecë krenarë dhe pa u frikësuar nga asnjë akuzë e rëndësishme në shtetin dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës. Askush nuk do ta cenojë. Por, njëkohësisht duhet të përgatitemi se do të kemi vështirësi me të cilat do të ballafaqohemi disa nga ne si ish luftëtarë të lirisë”- deklaroi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Por, qëndrimin e kryeparlamentarit nuk e ndajnë tri partitë opozitare, Vetëvendosje, AAK dhe Nisma. Donika Kada Bujupi, në emër të opozitës e ka quajtur këtë vendim bizarre të qeverisë.
“Përgjigja jonë në këtë projektligj do të jetë që ne, ashtu si sot, simbolikisht po e shqyejmë para mediave dhe opinionit, edhe në ditët e ardhshme do të bëjmë të gjitha veprimet që ky bizaritet dhe këto veprime bizarre nga ana e qeverisë dhe mazhorancës të ndalohen”- tha Donika Kada Bujupi nga AAK.
Opozita njëherit për të kundërshtuar miratimin e Gjykatës Special ka paralajmëruar edhe organizimin e protestave.
GYLTENE SINANI
