Kontrolle falas në qendër të Shkupit, Bozhinovski: Nevojiten kontrolle të rregullta

27.10.2026 15:29

Rreth 5 mijë sulme në tru ndodhin në nivel vjetor...

Rreth 5 mijë sulme në tru ndodhin në nivel vjetor në RMV. Mosha e pacientëve gjithnjë e më tepër po zvogëlohet. Kapacitetet në Klinikën e Neurologjisë janë të mbushura. 

Kontrollet e rregullta të tensionit, diabetit dhe yndyrave janë kyçe në parandalimin e sulmeve në tru, thotë drejtori i Klinikës së Neurologjisë, Jovan Bozhinovski.
 
“Sa më shpejt që pacienti të vjen në klinikën tonë ose në institucionet që trajtojnë patologji të këtilla, mund të jetë pacienti i shpëtuar dhe të shpëtohet prej invaliditetit, sepse e dimë se sëmundja mund të ndodhë papritur dhe kur bëhet akute pacienti mund të bëhet i hendikepuar.”, - deklaroi drejtori i Klinikës së Neurologjisë, Jovan Bozhinovski.
 
Në qendër të qytetit janë kryer kontrolle falas, dhe disa pacientë janë dërguar për në kontrolle shtesë. 
 
“Kam tension të lartë të gjakut që në mëngjes, prandaj erdha të bëj kontroll këtu në qendër, por edhe zakonisht bëj kontrolle të rregullta mjekësore.”, - tha një qytetare.
 
“Është mirë të ketë kontrolle falas më shpesh, jo vetëm një herë në vit, sepse sulmet në tru janë bërë të përditshme tek qytetarët.”, - tha një qytetare tjetër.
 
Drejtori Klinikës së Neurologjisë thekson se tek shumica e pacientëve sëmundja mund të parandalohet nëse bëhen kontrolle të rregullta mjekësore dhe mënyrë e shëndetshme e jetesës me aktivitet fizik. (Vlora Latifi - Topojani, TVM2)