Kryeparlamentarja e Kosovës në Shkup takon krerët shtetërorë dhe kryetarët e komunave
27.10.2026 17:31
Bashkëpunimi parlamentar midis Kuvendit të Maqedonisë së Veriut dhe Kuvendit të Kosovës...

Bashkëpunimi parlamentar midis Kuvendit të Maqedonisë së Veriut dhe Kuvendit të Kosovës ka qenë temë kryesore në takimin mes kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, dhe homologes së tij nga Kosova, Albulena Haxhiu. Siç njoftojnë nga kabineti i kreut të Kuvendit, biseda mes tyre ka konfirmuar përkushtimin e ndërsjellë për avancimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, dialogut parlamentar dhe bashkëpunimit midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, duke shprehur bindjen se ky trend do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Të dy vendet ndajnë një vizion të përbashkët për një rajon paqësor, të qëndrueshëm, të sigurt dhe ekonomikisht të begatë, të integruar në strukturat euroatlantike dhe në këtë drejtim, është e rëndësishme të vazhdohet me dialogun dhe koordinimin e hapur për çështjet me rëndësi rajonale.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka siguruar angazhimin për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit konstruktiv midis dy kuvendeve fqinje. Ajo ka shprehur mirënjohje që Republika e Maqedonisë së Veriut ka pasur vazhdimisht qëndrim afirmativ për aderimin e Kosovës në të gjitha organizatat dhe iniciativat shumëpalëshe dhe rajonale. Mes dy homologëve po ashtu është biseduar edhe për aspiratat eurointegruese të të dy vendeve fqinje.
Në takim u bë fjalë edhe për procesin e integrimit evropian, ku bashkëbiseduesit vlerësuan se bashkëpunimi i ndërsjellë duhet të synojë krijimin e kushteve për përshpejtimin e integrimit evropian të të gjithë rajonit, bazuar në meritat, përmbushjen e kritereve dhe zbatimin konsekuent të reformave.
Kryetarët e dy kuvendeve kanë shkëmbyen mendime edhe mbi zhvillimet aktuale në rajon dhe në botë dhe e theksuan nevojën për paqe, siguri dhe stabilitet. Gashi dhe Haxhiu kanë shprehur bindjen se vizita do të kontribuojë në forcimin e mëtejshëm të besimit të ndërsjellë dhe në konstatimin e mundësive konkrete për thellimin e bashkëpunimit midis dy parlamenteve. Haxhiu në kuadër të vizitës zyrtare të saj, ka takuar edhe kryetaren e shtetit, Siljanovska Davkova dhe kryeministrin, Hristijan Mickoski. Në takim është theksuar se përmes dialogut, respektit të ndërsjellë dhe përforcimit të bashkëpunimit rajonal, mund të kontribuohet në stabilitet më të madh, zhvillim ekonomik dhe përshpejtimit të procesit eurointegrues të vendeve ballkanike.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
