Vizita e Haxhiut në Shkup, Haxhiu takoi kryesinë e VLEN-it
27.10.2026 15:55
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu...

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, gjatë qëndrimit të saj në Shkup ka takuar edhe presidencën e VLEN-it, bashkëkryetarët Izet Mexhiti e Bilall Kasami, nënkryetarët Bekim Qoku e Mimoza Musa dhe sekretarin e përgjithshëm, Bekim Sali.
Haxhiu dhe përfaqësuesit e VLEN-it vizituan Çarshinë e Shkupit, ku bashkëbiseduan me qytetarë dhe zejtarë. Në një prononcim të shkurtër për media, kryeparlamentarja e Kosovës komentoi edhe epilogun e zgjedhjeve në Serbi.
Ajo nuk pret ndryshime drastike në politikën e jashtme të vendit fqinj, edhe pas rënies së Aleksandar Vuçiqit nga pushteti.
“Së pari, është shumë e rëndësishme që regjimet autoritare ndëshkohen. Nuk kemi shumë besim se do të ndryshojë mendësia atje në Serbi. Megjithatë, Republika e Kosovës qëndron e fortë përballë çfarëdo sfide që ka para vetes.”, - deklaroi kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
Ajo e vlerësoi, siç tha, pritjen e ngrohtë në Shkup nga faktorët shtetërorë dhe politikë.


Haxhiu takoi kryetarët e komunave shqiptare
Pas vizitës në Çarshi, kryeparlamentarja Haxhiu i priti në takim në ambasadën e Kosovës kryetarët e komunave me shumicë shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Më herët, Haxhiu u prit me nderime shtetërore dhe zhvilloi takime me krerët e institucioneve, në një vizitë që u fokusua te marrëdhëniet e mira fqinjësore, siguria dhe integrimi i rajonit në Bashkimin Evropian. (Benjamin Arifi, TVM2)
