Maqedoni

Forum global për tregti dhe rritje 2026, Shkupi, nikoqir i edicionit të parë

27.10.2026 16:13

Kur tregjet globale ndryshojnë, е zinxhirët e furnizimit riorganizohen dhe konkurrenca ndërkombëtare...

Kur tregjet globale ndryshojnë, е zinxhirët e furnizimit riorganizohen dhe konkurrenca ndërkombëtare intensifikohet, sfida për kompanitë vendore nuk është vetëm të prodhojnë, por edhe të depërtojnë në tregje të reja, të krijojnë partneritete ndërkombëtare dhe të bëhen më konkurruese në ekonominë globale.
 
Pikërisht këtyre çështjeve iu kushtua edicioni i parë i Global Trade & Groëth Forum 2026, i mbajtur në Shkup, me organizim të Odës Ekonomike Zvicër-Maqedoni në partneritet strategjik me kompaninë ndërkombëtare të transportit dhe logjistikës Mediterranean Shipping Company (MSC).
 
Në fokus të forumit janë mundësitë për rritjen e eksporteve, shfrytëzimin më të mirë të korridoreve strategjike tregtare dhe forcimin e lidhjeve me tregjet ndërkombëtare. Përmes kësaj iniciative, synohet të krijohen ura bashkëpunimi mes ekonomisë vendase dhe rrjeteve globale të biznesit, duke shfrytëzuar edhe përvojën zvicerane për të nxitur tregtinë, investimet dhe partneritetet afatgjata.
 
“Zvicra, e cila është partnerja jonë dypalëshe, është një vend shumë i vogël. Megjithatë, ajo është një shembull i qartë se edhe vendet e vogla, me vizion të qartë, ekonomi të fuqishme, institucione të qëndrueshme, inovacion, teknologji, njohuri dhe talente, mund të pozicionohen në tregun global.”, - deklaroi kryetarja e Odës Ekonomike Maqedoni – Zvicër, Sonja Stefanovska.
 
“Maqedonia është pjesë e kësaj historie dhe ka çfarë t’i ofrojë botës. Disa nga produktet tona janë të njohura dhe të identifikueshme në mbarë botën, ndërsa të tjerat janë pjesë e zinxhirëve globalë të prodhimit, të integruara në produkte që përdoren çdo ditë nga miliona njerëz.”, - theksoi nënkryetarja e Odës Ekonomike Maqedoni – Zvicër, Sanja Radovanoviq.
 
“Zvicra, ashtu si edhe Maqedonia e Veriut, janë shtete pa dalje në det dhe me reliev malor. Ajo që mund të shfrytëzojmë dhe të vëmë në pah, para së gjithash, është se Zvicra është, në njëfarë mënyre, një urë dhe kryqëzim mes ekonomive të rëndësishme në atë pjesë të Evropës. E njëjta gjë vlen edhe për Maqedoninë e Veriut në këtë pjesë të Ballkanit.”, - u shpreh ambasadori i Zvicrës në Maqedoninë e Veriut, Kristof Somer.
 
Nikollovski: Zgjidhje për problemin me transportuesit
 
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, bëri thirrje për zgjidhjen e problemit me transportuesit, duke theksuar se konferencat dhe debatet nuk mjaftojnë nëse nuk gjendet një zgjidhje konkrete. Ai përmendi Zvicrën si shembull të zgjidhjes përmes marrëveshjeve dypalëshe, me shpresën që këtë model ta ndjekin edhe vendet e tjera të zonës Shengen.
 
“Mund të organizojmë konferenca të shkëlqyera dhe të diskutojmë, por nëse më pas mbetemi të bllokuar, çdo bisedë është e kotë. Ne jemi përpjekur të gjejmë një zgjidhje të përbashkët si vend i Ballkanit Perëndimor, së bashku me zonën Shengen, por, për fat të keq nga ana e BE-së ende nuk ka një zgjidhje përfundimtare. Do të thoja se mungon një qasje e organizuar. Kemi arritur të bëjmë dy gjëra. Së pari, në strategjinë e re të vizave të zonës Shengen, shoferët të njihen si profesionistë dhe të mos trajtohen si turistë. Së dyti, janë marrëveshjet dypalëshe me vendet e zonës Shengen, përmes të cilave problemi mund të zgjidhet me viza dypalëshe afatgjata të punës. Zvicra ishte e para që ndërmori këtë hap, për çka e falënderoj. Ajo ka filluar të lëshojë viza të tilla pune për shoferët dhe shpresoj që ky të jetë një shembull që do ta ndjekin edhe vendet e tjera anëtare të zonës Shengen.”, - theksoi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikollovski.
 
Ky forum i organizuar nga Oda Ekonomike Zvicrane dhe i mbështetur edhe nga Zvicra organizohet për herë të parë në vend, ndërsa në të planifikohen të marrin pjesë mbi 200 përfaqësues të biznesit vendas dhe ndërkombëtar, investitorë, eksportues dhe vendimmarrës. 
 
REXHEP QAMILI