Maqedoni

95-vjetori i lindjes së Dritëro Agollit, Shkupi nderon veprën dhe trashëgiminë e tij

27.10.2026 16:31

95-vjetori i lindjes së shkrimtarit Dritëro Agolli u shënua me një manifestim kulturor në Shkup...

95-vjetori i lindjes së shkrimtarit Dritëro Agolli u shënua me një manifestim kulturor në Shkup, të organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Kulturore të Shqiptarëve. Përmes fjalimeve, referateve dhe recitimeve, u vu në pah jeta dhe vepra e shkrimtarit, si dhe rëndësia e krijimtarisë së tij për letërsinë dhe kulturën shqiptare.
 
Drejtori i ITKSh-së, Besnik Emini, theksoi se Dritëro Agolli mbetet një nga emrat më të rëndësishëm të letërsisë shqipe, vepra e të cilit vazhdon të jetë pjesë e kujtesës sonë kulturore.
 
“Dritëro Agolli është mu nga ata emra që nuk i përkasin vetëm një vendi, një kohe apo një brezi, ai i përket kujtesës sonë të përbashkët kulturore.”, - deklaroi drejtori i ITKSh-së, Besnik Emini.
 
Edhe ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, vlerësoi rëndësinë e veprës së Agollit, duke theksuar se ajo vazhdon të jetojë përmes leximit dhe të përcillet te brezat e rinj.
 
“Edhe sot Dritëroi e mban ende premtimin, ne hapim librin, ai kthehet, ne lexojmë vargjet, ai na flet dhe për sa kohë shqiptarët do të jetojnë në fjalë dhe në zemrat tona, Dritëroi do të jetë aty, sepse koha mund ta marrë njeriun, por asnjëherë atë që ai ka vënë për përjetësinë. I paharruar qoftë ai, frymoftë gjithmonë vepra e tij!”, - theksoi ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Denion Meidani.
 
Drejtoresha e Muzeut “Shtëpia Studio Agolli”, Anisa Ymeri, vuri në pah vlerat e krijimtarisë së shkrimtarit dhe rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë së tij, duke e cilësuar atë si një pasuri të çmuar të kulturës kombëtare.
 
“Unë kam vizituar edhe për shkak të punës shumë shtëpi shkrimtarësh në Evropë. Besomëni, kur hy në shtëpinë e Kadaresë dhe të Dritëroit nuk ndjehem fare inferior, përkundrazi ndjehem superior, sepse ata janë dy muze shumë përfaqësues të jetës së dy shkrimtarëve. Njëri shumë i madh ndërkombëtarisht dhe tjetri shumë i rëndësishëm për kulturën tonë kombëtare.”, - u shpreh drejtoresha e muzeut “Shtëpia Studio Agolli”, Anisa Ymeri.
 
Përmes veprave që la pas, Dritëro Agolli vazhdon të mbetet një zë i veçantë i kulturës shqiptare, që kapërcen brezat dhe ruan gjallë lidhjen e lexuesve me gjuhën, identitetin dhe kujtesën tonë kombëtare.
 
ABIBE QAILI