Rritet delikuenca e fëmijëve në RMV, Lazhetiq: Parandalimi, sfidë kryesore

27.10.2026 17:31

Rritet numri i fëmijëve delikuent për 54%, ndërsa numri...

Rritet numri i fëmijëve delikuent për 54%, ndërsa numri i fëmijëve viktima të regjistruara në gjykata është rritur për 118%. Sipas raportit vjetor të Këshillit Shtetëror për Parandalimin e Delikuencës së Fëmijëve dhe Drejtësinë për Fëmijët në rritje është edhe numri i vajzave që ushtrojnë dhunë. Kryetarja e Këshillit, Gordana Lazhetiq, thotë se të dhënat janë shqetësuese, ndërsa thekson se në këtë drejtim duhet të punohet si me fëmijët ashtu edhe me prindërit.
 
“Pra, ne po flasim për një dekadencë të përgjithshme të familjes në shoqëri. Kjo është diçka për të cilën secili duhet të reflektojë dhe të pyesë veten se si të çlirohemi nga ajo që quhet verbëri prindërore. E dini, kur nuk e pranoj se kam një problem, ose nuk dua ta shoh atë, edhe pse problemi ekziston.”, - deklaroi kryetarja e Këshillit, Gordana Lazhetiq.
 
Parandalimi mbetet sfida kryesore në luftën kundër delikuencës së të miturve. Pavarësisht detyrimit ligjor, shumë komuna nuk kanë këshilla për parandalimin e delikuencës, ndërsa disa prej atyre që janë themeluar nuk janë aktive. 
 
“Prandaj, ne e vëmë theksin te këshillat lokale për parandalimin e delikuencës së fëmijëve, të përbëra nga përfaqësues të arsimit, shëndetësisë, gjyqësorit dhe prokurorisë. Pra, nevojiten persona që do ta ndjekin situatën dhe do të jenë në gjendje të parashikojnë se çfarë mund të ndodhë. Ky është ndoshta problemi më i rëndësishëm: të arrijmë t’i parashikojmë problemet në kohë, sepse kështu mund t’i parandalojmë.”, - theksoi kryetarja e Këshillit, Gordana Lazhetiq.
 
Gjatë vitit të kaluar janë paraqitur kallëzime penale ndaj 1.132 fëmijëve, ndërsa katër të mitur janë dënuar me burgim. Kryetarja e Këshillit Shtetëror, Gordana Lazhetiq, thekson nevojën për koordinim më të madh ndërmjet institucioneve, si dhe për risocializimin dhe riintegrimin e fëmijëve që bien ndesh me ligjin. Nga Këshilli kundërshtojnë uljen e moshës së përgjegjësisë penale për fëmijët nën 14 vjeç, duke vënë theksin te parandalimi dhe rehabilitimi, në vend të masave që nuk i trajtojnë shkaqet e delikuencës.
 
SARA KAJOLLI