Maqedoni
Kalimtarët në Bit Pazar: nuk respektohen rregullat e komunikacionit
23.06.2015 16:09
Tre rrugica të veçanta për këmbësorët, semafor, madje edhe mbikalim, të gjitha këto mund të shihen në distancë prej më pak se 100 metrash në bulevardin kryesor në Bit Pazar të Shkupit...

Por, pavarësisht kësaj, këmbësorët vazhdojnë të mos i respektojnë rregullat në komunikacion. TVM-2 u ndal për disa minuta në semaforin e këmbësorëve. Kalimi i bulevardit nga njëra anë në tjetrën në mes të gjelbërimit dhe kapërcimi i kësaj rruge në semafor të kuq vazhdon të jetë përditshmëri këtu.
-“Shpesh kaloni në të kuqe?”- pyeti gazetari.
-“Jo ndonjëherë”- u shpreh një qytetar.
-“Nuk kam kohë”- theksoi një qytetar.
-“Zonjë, a është e sigurt të kalohet rruga në këtë mënyrë?
-“Jo, nuk është e sigurt, por mos më pyesni më shumë. Nuk kaloj shpesh kështu”- tha një qytetare.
-“Jo, vetëm sot kemi kaluar kështu. E di se ka vendkalime për këmbësorët, por ne jemi prej Velesit. Të gjithë kalojnë përmes rrethojës dhe nuk shoh arsye përse të mos kalojmë edhe ne ashtu”- u shpreh një qytetare tjetër.
-“Po, për ditë jam këtu dhe 100 herë e kaloj rrugën kështu”- tha një qytetar.
Për shkak të mosrespektimit të rregullave dhe rrezikimit të të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion, pranë Bit Pazarit po ndërtohet edhe një gardh hekuri për të parandaluar pikërisht kalimin e këmbësorëve mbi mesrrugën e ndarë me bar.
Ka disa kohë që njerëzit ankoheshin se mbikalimi ishte i lodhshëm dhe semaforët gjendeshin larg. Kjo ishte arsyeja që ata e kalonin rrugën në vendin më të papërshtatshëm për t’i rënë më shkurt.
Por tani, pranë mbikalimit është hapur edhe një rrugë shtesë, por sërish njerëzit i ngjiten zhardinierës. Dhe sërish arsyet për mosrespektimin e rregullave janë të ndryshme.
-“Miku im, jam duke nxituar, andaj nuk mund të kaloj rrugën te mbikalimi ose te vijat e bardha të këmbësorëve. Sinqerisht, nuk e praktikoj këtë gjë shpeshherë, veç kur kam punë urgjente”- u shpreh një qytetar.
-“A e përdorni ju ndonjëherë mbikalimin?- pyeti gazetari.
“Jo, asnjëherë nuk e përdor këtë mbikalim, sepse nuk mund të ngjitem lartë. Ata e kanë ndërtuar mbikalimin, por ashensori nuk është i lëshuar 3-4 vjet me radhë. Ku është ai që e ka ndërtuar këtë?- u shpreh një qytetare.
-“Unë po e kaloj rrugën këtu, për shkak se me kohë se kanë ndërtuar këtë punë. Ta kishin bërë me kohë këtë rrugë siç duhet, ne nuk do të kalonim këtu”- theksoi një qytetar.
Në Maqedoni deri më tani janë realizuar shumë fushata të ndryshme për ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për respektimin e rregullave në komunikacion, por nuk është se japin shumë rezultat.
E rregullat thonë: rruga kalohet vetëm në vijat e bardha, në vendet e shënuara! Semaforët kalohen vetëm kur drita është e gjelbër! Dhe nëse nuk prisni dot dritën e semaforëve, përdorni mbikalimet!
REXHEP QAMILI
