Maqedoni

Shëndeti mendor dhe rreziqet psikosociale në fokus të Javës Evropiane për Siguri dhe Shëndet në Punë

28.10.2026 10:28

Përmirësimi i sigurisë dhe shëndetit në vendin e punës...

Përmirësimi i sigurisë dhe shëndetit në vendin e punës, kujdesi për shëndetin mendor dhe parandalimi i rreziqeve psikosociale janë në fokus të aktivitetit të sotëm me rastin e Javës Evropiane për Siguri dhe Shëndet në Punë, që do të mbahet në Shkup. Në kuadër të aktivitetit do të ndahen edhe çmimet kombëtare për praktikat e mira për vitin 2026.
 
Siguria dhe shëndeti në vendin e punës, kujdesi për shëndetin mendor dhe parandalimi i rreziqeve psikosociale do të jenë në qendër të aktivitetit që organizohet sot në Shkup me rastin e Javës Evropiane për Siguri dhe Shëndet në Punë.
 
Aktiviteti organizohet nga Këshilli për Siguri dhe Shëndet në Punë, me mbështetjen e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ONP), në kuadër të projektit “Drejt një mjedisi pune të sigurt dhe të shëndetshëm në Maqedoninë e Veriut”, i financuar nga Bashkimi Evropian.
 
Qëllimi është të nxitet një diskutim më i gjerë për zhvillimin e kulturës së parandalimit, shkëmbimin e praktikave të mira dhe mundësitë për përmirësimin e kushteve të punës.
 
Në aktivitet do të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, Delegacionit të Bashkimit Evropian, ONP-së, Agjencisë Evropiane për Siguri dhe Shëndet në Punë, si dhe përfaqësues të punëdhënësve, sindikatave, kompanive dhe komunitetit profesional.
 
Në pjesën hyrëse janë paraparë fjalime nga kryetarja e Këshillit për Siguri dhe Shëndet në Punë, Jasmina Çaloska, si dhe nga përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, Delegacionit të BE-së, ONP-së dhe Agjencisë Evropiane për Siguri dhe Shëndet në Punë.
 
Në kuadër të aktivitetit do të ndahen çmimet kombëtare për praktikat e mira në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë për vitin 2026. Janë paraparë gjithashtu prezantime nga kompanitë fituese të çmimeve, si dhe një panel diskutimi për sfidat dhe mundësitë e përmirësimit të sigurisë dhe shëndetit në vendin e punës.