Maqedoni

Digjitalizimi i mjedisit, Hoxha: Sjellim transformim thelbësor të gjelbër

28.10.2026 13:51

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor po punon në modernizimin e menaxhimit të çështjeve mjedisore përmes digjitalizimit....

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor po punon në modernizimin e menaxhimit të çështjeve mjedisore përmes digjitalizimit. Ministri Muhamet Hoxha prezantoi platformën e transformimit të gjelbër digjital, e përbërë nga pesë module, e cila synon të rrisë transparencën, të përmirësojë efikasitetin institucional dhe të lehtësojë qasjen e qytetarëve në informacione. Platforma përfshin pesë fusha kryesore,  themelet, strukturën e brendshme, kohën, tokën dhe ajrin. Sipas Hoxhës, përgatitjet për këtë proces kanë zgjatur një kohë të gjatë, ndërsa digjitalizimi shihet si instrument për trajtimin sistematik të problemeve të akumuluara mjedisore.
 
“Për ne, digjitalizimi nuk është vetëm softuer. Ai është një instrument politik për drejtësi. Ai nënkupton transparencë të plotë.  Aty ku ekziston një sistem digjital, nuk ka hapësirë për fshehje. Aty merr fund joefikasiteti i sistemit. Aty marrin fund lidhjet dhe ndikimi i faktorit njerëzor. Ne përdorim të dhënat për të luftuar krimin mjedisor. Përdorim transparencën digjitale dhe automatizimin kundër neglizhencës sistematike. Informacionet do të jenë të qasshme për çdo qytetar.”, - deklaroi ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor,  Muhamet Hoxha.
 
Hoxha tha se informacionet do të jenë të qasshme për qytetarët, ndërsa të dhënat digjitale do të shërbejnë edhe në luftën kundër krimit mjedisor. Sa i përket ndotjes së ajrit, tha se ministria që drejton ai është e fokusuar në zbatimin e masave afatshkurtra dhe afatgjata për uljen e ndotjes, me theks te kontrollet ndaj industrisë dhe kompanive.  
 
“Në seancën e  djeshme të Qeverisë kemi miratuar edhe planin afatshkurtër me masa konkrete për institucionet të cilët në këtë fazë do të duhet t’i ndjekim me qëllim që të ulim ndotjen e ajrit, duke filluar me kontrollet ndaj kompanive dhe industrisë të cilët posedojnë lejen e integruar А dhe gjithashtu edhe me ato industritë të cilat janë nën ingerencat e komunave dhe posedojnë lejen B e integruar duke filluar këtu edhe me masat tjera, të cilat ne vazhdimisht, në bashkëpunim me komunat, pushtetin lokal dhe me institucionet tjera do t’i ndjekim dhe zbatojmë, me qëllim që të ndikojmë në uljen e ndotjes, duke marr parasysh se këtë periudhë të vitit ndotja e ajrit është e lartë.”, - theksoi ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha.
 
Hoxha gjithashtu tha se ministria është e fokusuar në zbatimin e planit afatgjatë kundër ndotjes së ajrit, veçanërisht në sektorët e komunikacionit dhe ngrohjes së amvisërive, ku parashihen projekte të shumta që synojnë uljen e ndotjes, përmes kalimit nga mënyrat joekologjike në ato ekologjike të ngrohjes. 
 
REXHEP QAMILI