Maqedoni
Rishikimi i dytë i Buxhetit, përplasje mes pushtetit dhe opozitës
28.10.2026 16:17
Pushteti dhe opozita përplasën qëndrimet për rishikimin e dytë të Buxhetit...

Qeveria thotë se ndryshimet janë të nevojshme për shkak të rrethanave të ndryshuara ekonomike dhe për mbrojtjen e standardit të qytetarëve, ndërsa opozita akuzon për planifikim të dobët financiar dhe kërkon masa konkrete për rritjen e të ardhurave të qytetarëve.
Zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski, tha se me rishikimin e Buxhetit janë siguruar mjetet e nevojshme për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga marrëdhënia e punës.
“Ministria e Financave, edhe me këtë rishikim të Buxhetit, ka siguruar të gjitha mjetet e nevojshme për përmbushjen e të drejtave që rrjedhin nga marrëdhënia e punës. Nëse ka ndryshime në legjislacion ose në marrëveshjet kolektive, që do të sjellin ndryshime dhe nevojë për mjete shtesë financiare, Ministria e Financave do të veprojë në përputhje me këto ndryshime dhe do të ndërmarrë masat e nevojshme në atë moment.”, - deklaroi zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski.
Nga LSDM-ja vlerësuan se rritja e shpenzimeve të jetesës po ua vështirëson edhe më shumë përditshmërinë qytetarëve. Për këtë arsye, kërkojnë pagë minimale prej 36.000 denarësh dhe rritjen e racionit të subvencionuar studentor nga 140 në 200 denarë.
“Çfarë akti është ky rishikim i Buxhetit, kur nuk sjell standard më të mirë për qytetarët, nuk ka para për paga më të larta, nuk ka stabilizim fiskal dhe nuk ka investime kapitale, përkundrazi, ato shkurtohen. Ky rishikim bëhet për të marrë borxh dhe për të financuar shpenzimet, pra, bëhet fjalë për një rishikim me të cilin do të mbushen vrimat në Buxhet.”, - theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Sipas propozim-rishikimit, të ardhurat e Buxhetit parashikohen në 374,2 miliardë denarë, rreth 5,3 miliardë denarë më pak se projeksionet e mëparshme. Shpenzimet planifikohen në 420,5 miliardë denarë, ndërsa deficiti buxhetor mbetet në 46,3 miliardë denarë, përkatësisht 4,1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).
Projeksioni zyrtar për rritjen ekonomike për këtë vit është 3,5 për qind. Ndërkaq, deficiti buxhetor prej 46,3 miliardë denarësh korrespondon me rreth 752,8 milionë euro.
FARIJE DAUTI BAKIU
