Maqedoni

Shkupi, dy vrasje brenda pesë ditësh, MPB: Privohen nga liria katër persona

28.10.2026 16:39

Shkupi tronditet nga dy vrasje, ndërsa hetimet po zhvillohen për të zbardhur rrethanat...

Shkupi tronditet nga dy vrasje, ndërsa hetimet po zhvillohen për të zbardhur rrethanat dhe rolin e të dyshuarve. Sipas informacioneve paraprake, motivi i mundshëm lidhet me përfitimin material, por autoritetet duhet të përcaktojnë zyrtarisht se si janë kryer krimet.
 
Rasti më i fundit u regjistrua në lagjen Gjorçe Petrov, ku një grua 76-vjeçare u gjet e vdekur në shtëpinë e saj në rrugën “Gjurgjin Kokale”. Trupin e pajetë e gjeti vajza e saj, ndërsa gruaja jetonte e vetme. Në trupin e pensionistes u konstatuan shenja të dukshme dhune brutale.
 
MPB-ja konfirmoi ndalimin e katër personave: A.S. (22), H.E. (20) dhe K.A. (58) nga Shkupi, si dhe M.R. (26) nga Strumica. Për ta, me kërkesë të Prokurorisë, është kërkuar paraburgim afatshkurtër.
 
“Sektori për Punë të Brendshme Shkup gjatë ditës së djeshme ka privuar nga liria katër persona, prej të cilëve tre nga Shkupi dhe një nga Strumica, të cilët dyshohen për dy veprat penale “grabitje me pasojë vdekje”, sipas nenit 237 paragrafi 5 të Kodit Penal.”, - deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Goce Andreevski. 
 
Obduksioni pritet të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes dhe të ndihmojë në zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Rasti shkaktoi shqetësim të madh, veçanërisht për shkak të ngjashmërisë me një tjetër vrasje të regjistruar vetëm pesë ditë më parë në Shkup.
 
Sipas MPB-së, në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike të Shkupit, për të dyshuarit është kërkuar paraburgim afatshkurtër, me qëllim të plotësimit të provave për vazhdimin e procedurës.
 
Pas përfundimit të procedurës, do të paraqitet kallëzimi përkatës penal. Sipas informacioneve paraprake, motivi i mundshëm lidhet me përfitimin material, por rrethanat e plota të të dy rasteve pritet të zbardhen nga hetimet.
 
Përgjegjësia penale e të dyshuarve do të përcaktohet nga organet e drejtësisë. Vrasja e parë u regjistrua më 22 tetor në Hrom, ndërsa e dyta më 27 tetor në Gjorçe Petrov. 
 
FARIJE DAUTI BAKIU