Maqedoni
Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, inkurajon liderët të gjejnë zgjidhje për krizën
23.06.2015 16:45
Shqetësim për situatën në vend, sidomos për krizën aktuale politike...

Shqetësim për situatën në vend, sidomos për krizën aktuale politike, sigurimi sa më shpejt të jetë e mundur e hetimit të plotë dhe të pavarur të materialeve të cilat zbulojnë çfarëdo vepër penale, me respekt të plotë ndaj vetë procesit, ndaj parimit të pavarësisë së gjyqësorit dhe prezumimit të pafajësisë, si dhe shënimet pozitive të përpjekjeve të fundit të liderëve politik për të kërkuar dhe për të arritur zgjidhje.
Këto janë një pjesë e Draft-konkluzioneve të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së që duhet të pranohen sot në Luksemburg. Liderët politik inkurajohen të gjejnë zgjidhje të shpejtë për dalje nga kriza politike, theksoi shefja e Diplomacisë Evropiane, Federika Mogerini.
“Ministrat për punë të jashtme i mbështetën konkluzionet, me ç’rast inkurajojmë të gjitha palët në Shkup të implementojnë marrëveshjen politike të arritur më 2 qershor. Në mënyrë të veçantë të punohet në zbatimin e reformave, zgjedhjeve të parakohshme dhe tranzicionit, që të mundësohet që tek të gjithë njerëzit në Maqedoni të kthehet besimi tek institucionet”- deklaroi përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri në BE, Federika Mogerini.
Në konkluzionet, Këshilli bëri thirrje për zbatimin e të gjitha rekomandimeve të Komisionit, duke filluar me prioritetet për reforma urgjente në aspektin e sundimit të ligjit që vijnë nga kriza e tanishme, duke përfshirë shkeljen e të drejtave themelore, gjyqësorin, lirinë e medias, zgjedhjet, korrupsionin, politizimin e institucioneve shtetërore dhe përzierjen e shtetit me partinë.
Zbatimi i këtyre rekomandimeve, nga afër do të monitorohet nga Komisioni i cili njëherit kërkon edhe reforma zgjedhore, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.
Konkluzionet në Samitin e Këshillit Evropian të enjten dhe të premten do të miratohen nga ana e shefave të shteteve dhe qeverive të vendeve-anëtare të BE-së.
SANIJE KASAMI
