Tregu i futbollit në Maqedoninë e Veriut, Shkëndija kryeson, Arsimi shënon rritjen më të madhe të vlerës në treg
29.10.2026 12:51
Si kanë ndryshuar vlerat e klubeve të futbollit në Maqedoninë e Veriut brenda një viti?

Shkëndija e Tetovës ruan një vlerë prej rreth 6 milionë eurosh, me një rënie minimale prej 20 mijë eurosh. Vardari është rritur nga 4,71 në 5,09 milionë euro, ndërsa Sileksi nga 3,19 në 3,91 milionë.
Rritjen më të madhe në përqindje, ndër klubet që kanë qenë në elitë, e shënon Arsimi, vlera e të cilit është rritur nga 1,45 në 2,81 milionë euro. Tikveshi gjithashtu ka shënuar rritje, nga 2,17 në 3,38 milionë euro.
Në anën tjetër, Struga Trim & Lum ka humbur 130 mijë euro nga vlera e tregut, ndërsa Bashkimi 70 mijë euro.
Ndryshime shumë më të mëdha në përqindje shfaqen te Bregallnica e Shtipit dhe Shkëndija e Haraçinës. Nga vlera fillestare prej 25 mijë, përkatësisht 50 mijë eurosh, të dyja klubet arrijnë në rreth 2,6 milionë euro.
Këto shifra duhen parë në kontekstin e kalimit nga Liga e Dytë në Ligën e Parë dhe të ndryshimeve në përbërjen e skuadrave. Në grafikë paraqitet edhe FK Skopje, me vlerë aktuale prej rreth 1,9 milionë eurosh.
Vlerat e tregut tregojnë se si vlerësohen skuadrat dhe futbollistët e tyre, por nuk përfaqësojnë buxhetet apo të ardhurat reale të klubeve. Krahasimi është një tregues i ndryshimeve në vlerësimin e skuadrave, sipas të dhënave të Transfermarkt. (Gazetar: Safet Ademi)
