Maqedoni
Seanca kuvendore, pyetje deputetësh, AKI dhe VMRO përplasen për Bërvenicën
29.10.2026 15:11
Në seancën kuvendore kushtuar pyetjeve të deputetëve zunë vend edhe zgjedhjet në Bërvenicë....

Në seancën kuvendore kushtuar pyetjeve të deputetëve zunë vend edhe zgjedhjet në Bërvenicë. Deputeti Skender Rexhepi nga AKI, duke e kritikuar kryeministrin Hristijan Mickoski për trysni tek shqiptarët, vlerësoi se kjo po rezulton në përkrahjen e popullatës shqiptare në zgjedhjet për kryetar të Komunës së Bërvenicës.
“Pyetja ime është, Kryeministër, a jeni të vetëdijshëm se me shkeljen e të drejtave Kushtetuese dhe ligjore të shqiptarëve e që po e bëni plot dy vite e gjysmë në të kaluarën, do të sillni deri tek kërkesa në të ardhmen për ndryshimin e rendit kushtetues. Kjo është e dhimbshme, sepse dështimet e juaja nuk mund të mbulohen me prishjen e marrëdhënieve ndëretnike, dhe se pasojat do të jenë shumë më të dhimbshme për të gjithë shoqërinë në RMV.”, - deklaroi Skender Rexhepi - Zejdi nga AKI.
Por, kryeministri u përgjigj, se vetëm AKI-së po i ndodhë që ta festojë humbjen në zgjedhje, pasi kandidati i VMRO-DPMNE-së mori më së shumti vota.
“Në Bërvenicë është e habitshme se si po arrini të festoni për humbje, sepse kandidati i juaj aty pësoi humbje. 20 vite ju, keni realizuar zero projekte për Bërvenicën, dhe rezultati i kësaj politike është dhjetëra mijëra të shpërngulur ku 90 për qind janë shqiptarë, ndërsa tash shkoni për Evropë dhe përkuleni duke i lutur të vinë të votojnë të dielën, ato të cilët ju vet i keni përzënë. Unë si Hristijan, Jovica si ish-kryetarë i komunës, Aleksandar Nikollovski si Ministër i Transportit, po e ndërtojmë rrugën për në fshatin Gurgurnicë. Vesna Janevska ndërton shkollë në fshatin Çellopek, Borko si Ministër i Sportit ndërton sallë sportive në Çellopek, Gjoko si Ministër për Politik Sociale po ndërton çerdhe në Çellopek. Dhe pas kësaj po mendoni se banorët e Bërvenicës do t’ua harrojnë këtë, jo, asnjëherë, dhe këtë do ta shihni me datë 1 nëntor, ndërsa më 2 nëntor do t’ju shkruaj porosi.”, - theksoi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
Deputeti Rexhepi theksoi se në raundin e parë beteja ka qenë mes kandidatëve të AKI-së dhe VLEN-it, ndërsa tani janë mes AKI-së dheVMRO-së, dhe rezultatet do t’i shihni më 1 nëntor.
Gashi: Të mos krijohen tensione në Bërvenicë
Ndërkohë kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, bëri thirrje që mos të krijohen tensione të panevojshme në Bërvenicë, ndërsa uroi që zgjedhjet t’i fitojë kandidati më i mirë.
“Unë uroj që ne t’i tejkalojmë këto provincializma dhe të ndahemi etnikisht, sidomos kur bëhet fjalë për zgjedhje lokale, megjithatë për fat të keq akoma jemi në një fazë ku mbisundon elementi etnik se për kë duhet të votohet. Uroj që edhe në këto zgjedhje dhe në të gjitha zgjedhjet tjera të fitojë më i miri, dhe ai i cili u shërben qytetarëve, pa dallim të përkatësisë partiake dhe etnike.”, - u shpreh kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
Në raundin e parë të zgjedhjeve në Bërvenicë të mbajtura më datë 18 tetor 2026, më të votuar dolën Stojanço Radiçevski nga VMRO-DPMNE dhe koalicioni "Maqedonia Jote" që fitoi 2.943 vota apo 38,90%, dhe Arkin Jahiji i përkrahur nga AKI, i cili fitoi 2.152 vota apo 28,45%, të cilët më 1 nëntor do të garojnë për postin e Kryetarit të Komunës së Bërvenicës.
FITIM KRYEZIU
