LSDM-VMRO, akuza të ndërsjella për afërsinë me Vuçiqin
29.10.2026 22:39
LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja vazhdojnë akuzat...

LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja vazhdojnë akuzat ndaj njëra-tjetrës se cila parti ka qenë më e afërt me partinë e Aleksandar Vuçiqit në Serbi, SNS-së. LSDM-ja opozitare thotë se modeli i njëjtë i propagandës që ka praktikuar Vuçiqi nëpërmjet mediave private në Serbi, po zbatohet edhe në Maqedoninë e Veriut nga VMRO-DPMNE-ja.
Ata madje akuzojnë se Banka serbe Alta, e afërt me Vuçiqin, qëndron pas një televizioni privat në vendin tonë.
“Banka Alta ka qëndruar pas financimit të Alfa TV që nga dita e marrjes në dorëzim. Siç raportuam, ndryshimi në identitetin vizual të televizionit dhe bankës ndodhi në të njëjtën kohë. Banka Alta, e cila u ndalua nga Banka Qendrore Evropiane, e cila ka një ndalesë në Mal të Zi, e cila është nën hetim për origjinë të dyshimtë të kapitalit dhe e cila bën transferta në Moskë, është pas këtij sistemi mediatik në vendin tonë. Pronari Davor Macura është i afërt me SNS-në dhe me Vuçiqin, dhe banka konsiderohet e lidhur me familjen Vuçiq.”, - deklaroi zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.
Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE-ja thotë se ishte pikërisht pushteti i LSDM-së, i Zaevit dhe Filipçes, që i solli njerëzit e Vuçiqit në Maqedoninë e Veriut.
Partia maqedonase në pushtet përmend afërsinë e Aleksandar Obradoviqin, i cili ishte angazhuar si këshilltar i Zaevit, me ish-pushtetin e Vuçiqit.
“Zaevi dhe Filipçe morën këshilltarë nga SNS në qeveri, Obradoviq dhe Bashanoviq janë mishërimi i Vuçiqit. Aleksandar Obradoviq është një ndërmjetës ballkanik, i cili ishte këshilltar i Zaevit, dhe më pas donte ta bënte drejtor të ELEM-it, por për shkak të presionit nga VMRO-DPMNE-ja dhe qytetarët, kjo u ndalua. Por, në vitin 2021, Obradoviq bëhet drejtor i një kompanie bijë të ELEM. Njeriu që u hoq nga pozicioni i tij si drejtor i Kompanisë së Energjisë Elektrike të Serbisë, për shkak të luksit dhe hedonizmit. Ja, këta janë njerëzit nga Bota Serbe që Zaevi i solli në Maqedoni.”, - theksoi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Valentin Manasievski.
VMRO-DPMNE-ja madje pretendon se këto lidhje të LSDM-së me njerëz të Vuçiqit vazhdojnë edhe sot. Sipas tyre, Zoran Bashanoviq është përgjegjës për propagandën e partisë opozitare. (Benjamin Arifi, TVM2)
