Maqedoni
Transformimi i kontratave në vendime, VLEN: Ofron siguri dhe dinjitet për punëtorët
29.10.2026 15:42
VLEN vlerëson se me propozim-ligjin për transformimin e angazhimeve me kontrata në vendime pune ofrohet siguri dhe dinjitet për punëtorët e administratës...

Me propozim-ligjin për transformimin e angazhimeve me kontrata në vendime pune ofrohet siguri dhe dinjitet për punëtorët e administratës, vlerëson grupi parlamentar i VLEN-it. Sipas deputetit Zekirja Tairi, partitë politike në të kaluarën e kanë mbajtur këtë kategori të punonjësve në pasiguri dhe e kanë përdorur statusin e tyre për interesa politike. Me këtë ligj, sipas tij, punonjësit në institucionet shtetërore fitojnë siguri dhe nuk varen më nga vullneti politik.
“Ky është një problem i trashëguar ndër vite. Detyrimi ynë është të punojmë për zgjidhjen e tij, në vend që t’ua lëmë si barrë gjeneratave të ardhshme të politikanëve. Prandaj, kemi dorëzuar propozimin ligjor që parasheh kalimin në marrëdhënie pune me afat të pacaktuar për personat që i plotësojnë kushtet ligjore në institucionet publike të përfshira nga kjo zgjidhje. Propozimi përfshin kategori të ndryshme të angazhimit: kontrata me afat të caktuar, kontrata në vepër, kontrata autoriale, angazhime përmes agjencive dhe forma të tjera kontraktuale për kryerjen e punës.”, - deklaroi deputeti i VLEN-it, Zekirja Tairi.
BDI: Do të shfrytëzohet për punësime partiake
Por, BDI-ja opozitare e sheh si shqetësim këtë propozim-ligj. Ata kanë drojë se ligji do të shfrytëzohet për punësime partiake në institucionet shtetërore.
“Ne e shohim këtë si shqetësim, pasi ekziston rreziku që ky proces të përdoret vetëm për punësime partiake dhe sistemimin e njerëzve të afërt me pushtetin. Shqetësimi ynë është edhe më i madh kur kemi parasysh se, në të njëjtën kohë, shumica parlamentare po krijon mekanizma për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës për punonjësit administrativë.”, - theksoi deputetja e BDI-së, Dijana Toska.
Propozim-ligji parashikon vendime për punonjësit me kontrata deri në fund të vitit 2027. Nga 1 janari i vitit 2028, angazhimi me kontrata do të kufizohet deri në 10% të numrit të përgjithshëm të të punësuarve në institucionin përkatës.
BENJAMIN ARIFI
