Reagime për vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë, kërkohet edhe përgjegjësi institucionale
Organizata “QIKA” ka protestuar para MPB-së pas vrasjes së Arlinda Zekajt...

Organizata “QIKA” ka protestuar para MPB-së pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës. Përmes thyerjes së një pasqyre, aktivistet kanë simbolizuar dështimin institucional në mbrojtjen e grave, duke kërkuar hetim të plotë dhe përgjegjësi politike e institucionale për rastin përfshi dorëheqjen apo shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, dhe asaj të Drejtësisë, Donika Gërvalla.
Edhe Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka vlerësuar se në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt ka dyshime serioze për përgjegjësi të drejtpërdrejtë të shtetit, ndërsa ka theksuar se vetëm këtë vit në Kosovë janë vrarë tetë gra.
“Duket shumë qartë që përgjegjësia e shtetit në këtë rast nuk është treguar në nivelin e duhur. Pra, shteti ka dështuar për t’i mbrojtur viktimat e dhunës në familje.”, - theksoi Avokati i Popullit, Naim Qelaj.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka thënë se edhe kjo parti kërkon që të dënohen të gjithë ata që nuk kanë ndërmarrë masa për ta parandaluar vrasjen e Arlinda Zekajt. Abrashi po ashtu ka shprehur mbështetje edhe për protestën.
“KGJK dhe KPK të reagojnë, nuk mjafton masa disiplinore. Ne përkrahim protestën. Revoltat e atyre që protestojnë aktivisht, dhe në heshtje është e drejtë e domosdoshme dhe udhërrëfyese. Të mos heshtim, të dashur kolegë, të mos dorëzohemi, të luftojmë derisa të ndryshojë kjo gjendje. E kemi secili për detyrë.”, - u shpreh Artan Abrashi nga LVV.
Deputetët e partive opozitarë kanë kërkuar përgjegjësi për personat përgjegjës, përfshi edhe përgjegjësinë politike.
“Ndaj rasteve të tilla nuk mjaftojnë vetëm deklarimet sa herë që po ndodhin tragjeditë, na duhet një përgjegjësi kolektive më e drejtë, më e sinqertë. Prandaj po, përgjegjësi morale dhe politike.”, - theksoi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Vrasja e Arlindës nuk është thjesht një tragjedi familjare. Ajo është dëshmia më e dhunshme e dështimit të sistemit tonë. Nëse nuk kërkojmë llogari kur një grua humb jetën, atëherë kur duhet ta kërkojmë?, - pyeti ajo, duke theksuar se raportimi shërben për transparencë dhe përgjegjësi, pa paragjykuar fajësinë e askujt.”, - deklaroi Ganimete Musliu nga PDK.
“Tragjedia e cila ndodhi para disa ditësh, nga vrasja barbare e cila e tronditi një shtet, i cili nuk po e lë rehat secilin prind që ka vajzë, secilin vëlla që ka motër dhe tragjedi e cila kërkon veprim të shpejtë institucional, shtetëror, përgjegjësi, hetim penal dhe mbi të gjitha, përgjegjësi nga institucionet që janë në vend. Për këtë temë, kemi folur dje, pardje.”, - theksoi Besnik Tahiri nga Aleanca.
Arlinda Zekaj, 49 vjeçe, u vra në shtëpinë e saj në Vitomiricë të Pejës, nga kunati pak minuta pasi ishte kthyer nga stacioni policor, ku kishte raportuar për dhunë në familje. Albert Sylaj, ish-kunati i saj, u arrestua në Deçan më 27 tetor, ndërsa Gjykata Themelore në Pejë i caktoi një muaj paraburgim, nën dyshimin për vrasje të rëndë. (Gyltene Sinani, TVM2)
