MPB, tetë të arrestuar për keqpërdorime në FSSh, Klekovski: Rastin e iniciova deri sa isha drejtor i Fondit

29.10.2026 17:36

Tetë persona kanë përfunduar në pranga...

Tetë persona kanë përfunduar në pranga për shkak të pagesës së dyfishtë të operacionit të syve. MPB-ja ka njoftuar se për këtë rast ka realizuar një aksion në disa lokacione në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë, ndërsa në mesin e të arrestuarve ka edhe ish-funksionarë dhe funksionarë aktualë të Fondit Shëndetësor.

“Është realizuar aksion policor në kuadër të dyshimeve për veprime të kundërligjshme lidhur me operimin e syve, me ç’rast është shkatërruar grupi kriminal, një pjesë e të cilëve ish-funksionarë dhe bartës aktualë funksionesh në Fondin e Sigurimit Shëndetësor. Në kuadër të operacionit, pas urdhëresave të siguruara paraprake nga Gjykata Themelore Penale janë kryer kontrolle në më shumë lokacione në Shkup dhe nga një në Kumanovë dhe Tetovë, me ç’rast tetë persona janë arrestuar, ndërsa gjatë kontrolleve të kryera janë gjetur dhe konfiskuar mjete financiare dhe rreth 50 mijë euro, si dhe telefona celularë. Lidhur me marrëveshjen me anë të vendosjes së të dhënave të pavërteta në sistemin elektronik të Fondit Shëndetësor dhe përgatitjen e faturave me përmbajtje të pavërtetë, institucioni shëndetësor ka paguar shërbimet e njëjta edhe nga Fondi edhe nga pacientët. Pacientëve, përveç participimit ligjor, u është paguar edhe shërbim privat për operacionet, duke u fshehur se shërbimet paguhen edhe nga Fondi.”, - theksoi zëdhënësi i MPB-së, Goce Andreeski.

Paraprakisht ministri i Shëndetësisë, Klekovski, ka njoftuar se tre persona nga Fondi për Sigurim Shëndetësor dhe dy nga një institucion privat shëndetësor janë të dyshuar për keqpërdorimit të mjeteve financiare të Fondit.

Klekovski ka bërë të ditur se gjatë kohës kur ishte drejtor i Fondit, kishte iniciuar hetimin ndaj institucionit privat, për shkak të shkeljeve të përsëritura ndër vite.

“Në aksion është përfshirë një institucion privat shëndetësor, i cili kishte kontratë me Fondin për Sigurim Shëndetësor, si dhe disa persona nga Fondi. Bëhet fjalë për keqpërdorim të mjeteve financiare të Fondit për Sigurim Shëndetësor. Shpresoj që MPB-ja së shpejti të dalë me më shumë detaje. Unë i propozova Komisionit për Kundërvajtje që të ndërpritet kontrata me atë institucion shëndetësor, dhe Komisioni e pranoi propozimin, me qëllim që të ndërpritet zinxhiri i pandëshkueshmërisë. Njëkohësisht, kërkova të nisë hetimi.”, - u shpreh ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.

Edhe nga Prokuroria Publike njoftojnë se po veprohet për rastin e keqpërdorimit të mjeteve financiare të Fondit Shëndetësor. (Belinda Koka-Ademi, TVM2)