Futboll

Arrestimet tronditin futbollin italian

23.06.2015 17:24

Policia italiane ka arrestuar 6 zyrtarë të Catanias mes tyre edhe presidentin e skuadrës siciliane Antonino Pulvirenti...

Drejtuesit e klubit nga Jugu i Italisë akuzohen se kanë blerë disa ndeshje gjatë kampionatit të fundit të Serisë B për të evituar rënien e skuadrës një kategori më poshtë.
 
Akuza është ngritur nga njësia hetimore e antimafias së Catanias. Sipas saj të arrestuarit përfshirë këtu edhe presidentin e klubit Pulvirenti kanë arritur të manipulojnë disa takime gjatë sezonit të fundit në Serinë B, duke ndikuar drejtpërsëdrejti në rezultat në mënyrë që Catania t’i fitonte ato ndeshje dhe të siguronte qëndrimin në këtë kategori.
 
Akuzat e njësisë hetimore të antimafias kanë një bazë reale sepse Catania ishte në zonën e rënies nga kategoria deri 15 javë përpara përfundimit të sezonit, por që nga ai moment nisi edhe kthesa e madhe e skuadrës siciliane që fitoi disa ndeshje radhazi për t’iu larguar sa më shumë fundit të renditjes.
 
Por, hetimi nuk pritet të përfundojë me arrestimin e 6 drejtuesve të Catanias sepse me këtë çështje do të merret edhe policia e Romës, Chietit, Campobassos dhe Catanias.
 
Përveç presidentit Pulvirenti pjesë e të arrestuarve janë edhe zëvendësi i tij, Pablo Cosentino dhe ish drejtori sportiv i klubit, Daniele Delli Carri.