LPFM, java e 12-të ndahet në dy ditë, Shkëndija përballet me Tikveshin në Çair

30.10.2026 10:48

Vardari – Struga T.L. është dueli kryesor i javës së 12-të, e cila do të luhet nga e diela deri të hënën..

Liga e Parë Futbollistike e Maqedonisë rikthehet këtë fundjavë me ndeshjet e javës së 12-të, të cilat, për shkak të zhvillimit të takimeve të 1/8 së finales së Kupës së Maqedonisë, do të luhen të dielën dhe të hënën. Java hapet të dielën me dy përballje. Në orën 12:00, në stadiumin e Çairit, Shkëndija e Haraçinës do të përballet me Tikveshin. Haraçinasit janë skuadra e vetme që këtë sezon ka arritur ta mposhtë ekipin nga Kavadari, i cili aktualisht renditet në vendin e katërt me 20 pikë. Shkëndija e Haraçinës, në anën tjetër, zë pozitën e gjashtë me 14 pikë dhe do të kërkojë të përsërisë suksesin ndaj një kundërshtari që po zhvillon një sezon të mirë.
 
Në orën 14:30, në stadiumin e qytetit në Shtip, Bregallnica do të jetë nikoqire e Shkëndijës së Tetovës. Tetovarët udhëheqin renditjen me 24 pikë. Tri ndeshjet e fundit të javës do të zhvillohen të hënën. Në mesditë, Skopje do të presë Sileksin. Vendasit ndodhen në fund të tabelës me vetëm tri pike.
 
Në orën 14:00 do të zhvillohen njëkohësisht dy përballje me rëndësi të veçantë. Në Shkup, Vardari do të përballet me Struga T.L. në kryendeshjen e javës. Struganët renditen të dytët me 23 pikë, ndërsa Vardari mban pozitën e tretë me 21 pikë. Diferenca e vogël mes dy skuadrave e bën këtë duel mjaft të rëndësishëm në garën për kreun e tabelës. Në të njëjtën kohë, në Kumanovë, Bashkimi do të jetë nikoqir i Arsimit në derbin mes dy skuadrave shqiptare. Të dyja ekipet kanë nevojë për pikë: Arsimi renditet i teti me 10 pikë, ndërsa Bashkimi është i nënti me shtatë pikë. Kështu java e 12-të mund të sjellë ndryshime në renditje, veçanërisht përmes përballjeve direkte që mund të ndikojnë në garën për titullin kampion. (Gazetar: Safet Ademi)