Rekord botëror në lartësi, Zoller përshkon 144 metra mbi dy kabina teleferiku
30.10.2026 10:54
Sportisti austriak realizoi kalimin mbi një litar vetëm 25 milimetra të gjerë, në lartësi deri në 150 metra mbi tokë...

Florian Zoller nga Austria ka shënuar një rekord të jashtëzakonshëm botëror, duke përshkuar një vijë slackline ose në shqip “ecje mbi shirit të tendosur”, prej 144 metrash të vendosur mes dy kabinave të varura të teleferikut TOP EXPRESS në Gurgl të Austrisë, në një lartësi deri në 150 metra mbi tokë. Shiriti ishte vetëm 25 milimetra i gjerë.
Kalimi zgjati 15 minuta e 30 sekonda, duke tejkaluar më shumë se dyfish rekordin e mëparshëm prej 65 metrash për këtë lloj sfide. Rekordi është konfirmuar vetën gjat ditës së enjte me shkrim nga Komisioni Sportiv i ISA-së,ndërsa tentativa u realizua në muajin prill. Zoller e kishte ndjekur këtë ide për tetë vjet dhe, pas një viti përgatitjesh intensive, arriti ta realizonte projektin mes Obergurglit dhe Hochgurglit.
Sfida më e madhe ishte lëkundja e kabinave, pasi çdo lëvizje e tij ndikonte në qëndrueshmërinë e shiritit. Gjatë kalimit, kabinat u anuan rreth 12 gradë. Arritja e Florian Zollerit përfaqëson një moment të veçantë në sportin e “ecje mbi shirit të tendosur, ku ekuilibri, përqendrimi dhe përgatitja fizike e mendore janë vendimtare për të përballuar sfida në kushte ekstreme. (Gazetar: Safet Ademi)
