Dakar 2026 – gati për festën e madhe, Maqedonia me tre sportistë në Lojërat Olimpike për të Rinj

30.10.2026 10:56

Afrika mirëpret, Dakari feston – kjo është motoja zyrtare e Lojërave Olimpike për të Rinj Dakar 2026...

Afrika mirëpret, Dakari feston – kjo është motoja zyrtare e Lojërave Olimpike për të Rinj Dakar 2026, ndërsa Senegali po bëhet gati të mirëpresë botën në ngjarjen e parë olimpike që do të zhvillohet në kontinentin afrikan. Lojërat do të nisin me një ceremoni madhështore të hapjes, duke shënuar fillimin e 15 ditëve të garave, gjatë të cilave rreth 2.700 sportistë të rinj do të garojnë për medalje dhe lavdi olimpike.
 
“Jam shumë e emocionuar që ndodhem këtu. Ka kaluar një kohë e gjatë dhe më në fund ky moment ka ardhur. Energjia është fantastike dhe jam e bindur se Senegali do të bëjë një punë të jashtëzakonshme në mikpritjen e botës dhe sportistëve nga e gjithë bota, duke ndarë me ta traditat dhe entuziazmin tonë afrikan. Për këtë jemi shumë krenarë.”, u shpreh Kirsty Coventry, presidente e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.
 
Në mesin e pjesëmarrësve do të jetë edhe Maqedonia, e cila në këtë edicion do të përfaqësohet nga tre sportistë të rinj. Mario Brezovski do të garojë në triatlon, në disiplinën sprint, Eva Mitevska do të përfaqësojë vendin në atletikë, në garën e 100 metrave, ndërsa notari Petar Cekov do të garojë në dy disiplina, në 400 dhe 800 metra stil i lirë. Ndërkohë, Këshilli i Komitetit Olimpik të Maqedonisë ka vendosur që Brezovski dhe Mitevska të jenë bartës të flamurit të delegacionit olimpik maqedonas në ceremoninë solemne të hapjes së Lojërave Olimpike për të Rinj Dakar 2026. Delegacioni i Maqedonisë në këto lojëra do jetë i përbërë nga 7 përfaqësues, ndërsa shefe e këtij delegacioni do jetë Elena Zizovska Apostollska. (Gazetar: Safet Ademi)