Ndërron jetë Patrick Stewart, aktori i njohur i “Star Trek” dhe “X-Men”

30.10.2026 11:05

Stewart ndërroi jetë më 28 tetor në shtëpinë e tij në Los Anxhelos...

Aktori britanik Patrick Stewart, i njohur për rolet e tij në seritë e famshme “Star Trek” dhe “X-Men”, ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare.
 
Sipas njoftimit të familjes, Stewart ndërroi jetë më 28 tetor në shtëpinë e tij në Los Anxhelos, pas një periudhe përballjeje me sëmundjen e Alzheimerit dhe demencën me trupa Lewy. Në momentet e fundit pranë tij ndodhej bashkëshortja, Sunny Ozell.
 
Stewart u bë i njohur në mbarë botën për interpretimin e kapitenit Jean-Luc Picard në serialin “Star Trek: The Next Generation”, rol të cilin e riktheu edhe në disa filma dhe në serialin “Star Trek: Picard”.
 
Një tjetër rol që shënoi karrierën e tij ishte ai i profesorit Charles Xavier në filmat “X-Men”, ku interpretoi përkrah aktorëve të njohur të Hollivudit.
 
Përveç suksesit në kinema dhe televizion, Stewart pati një karrierë të gjatë në teatër. Ai ishte pjesë e kompanisë prestigjioze Royal Shakespeare Company dhe interpretoi në disa nga veprat më të njohura të William Shakespeare. Në vitin 2010, aktori mori titullin e kalorësit për kontributin e tij në artin dramatik.
 
Pas njoftimit për vdekjen e tij, kolegë dhe figura të njohura të industrisë së filmit, përfshirë Hugh Jackman dhe Ian McKellen, shprehën ngushëllime dhe vlerësuan kontributin e Stewart në teatër dhe kinematografi.
 
Patrick Stewart lë pas një karrierë më shumë se gjashtëdekadëshe dhe personazhe që kanë mbetur ndër më të njohurit në historinë e televizionit dhe filmit fantastiko-shkencor.