Provimi i jurisprudencës, Mickoski: Presim përgjigjen e studentëve

30.10.2026 17:13

Propozimi i ri ligjor për provimin e jurisprudencës....

Propozimi i ri ligjor për provimin e jurisprudencës është diskutuar në një takim rreth dyorësh mes kryeministrit Hristijan Mickoski dhe studentëve. Kryeministri tha se gjatë takimit janë sqaruar të gjitha aspektet e zgjidhjes së propozuar nga Qeveria, e cila, sipas tij, ofron kushte më të favorshme se sistemi aktual. Mickoski u shpreh optimist për rezultatin e bisedimeve, ndërsa tha se tani pritet përgjigjja përfundimtare e studentëve. 
 
“Biseduam edhe për provimin e jurisprudencës. Mendoj se patëm një takim konstruktiv. Ne e sqaruam propozimin e Qeverisë, për të cilin vlerësojmë se është zgjidhje shumë më e mirë sesa ajo që aktualisht e kanë studentët. Edhe ata pajtohen me ne. Tani presim përgjigjen përfundimtare.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski. 
 
Mickoski drejtoi kritika ndaj opozitës, të cilën e akuzoi se po e shfrytëzon temën për polarizim etnik, në vend që të kontribuojë në zgjidhjen e saj. Ai theksoi se Qeveria ka ndërmarrë iniciativën për ndryshimet ligjore dhe se propozimi do t'i dërgohet për mendim Komisionit të Venecias. 
 
“Atë që kumtoi ministri i Drejtësisë është zgjidhja që ne si Qeveri e kemi përgatitur. Duhet ta pranoj se deri më tani nuk ka pasur asnjë propozim. Partitë politike që sot po tentojnë ta polarizojnë këtë temë mbi baza etnike, për më shumë se dy dekada nuk kanë bërë asgjë. Ne si Qeveri morëm iniciativën dhe vlerësojmë se zgjidhja që ofrojmë, e cila do t'i dërgohet edhe Komisionit të Venecias, garanton, të drejtën që provimi i jurisprudencës të zhvillohet në gjuhën në të cilën studenti ka përfunduar shkollimin, respektivisht të drejtën për ta dhënë provimin në gjuhën amtare.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Takimi me kryeministrin vjen pas konsultimeve të studentëve me ministrin e Drejtësisë, Jeton Shasivari, ku për herë të parë iu prezantua propozimi i ri ligjor. Sipas zgjidhjes së ofruar, pjesa teorike e provimit do të mund të jepet në gjuhën e studimeve, përfshirë shqipen, ndërsa pjesa praktike do të zhvillohet në maqedonisht. Studentët e kanë vlerësuar propozimin si hap përpara, por këmbëngulin se zgjidhja duhet të përfshijë edhe mundësinë e dhënies së pjesës praktike në gjuhën shqipe. (Benjamin Arifi, TVM2)