Tetovë, Rexhepi denoncon kërcënime, Ferati mohon

30.10.2026 16:39

Bajram Rexhepi nga BDI pretendon se ka marrë kërcënime me jetë...

Bajram Rexhepi nga BDI pretendon se ka marrë kërcënime me jetë përmes një mesazhi, pas denoncimit të tij lidhur me dyshimet për keqpërdorim të parcelës së zjarrfikësve në Tetovë. Ai ia atribuon kërcënimin Ibraim Feratit dhe thotë se rastin e ka paraqitur në polici, duke kërkuar reagimin e organeve kompetente.

“Pasi ne kemi zbardhur planin e vjedhjes së Komunës së Tetovës te parcela ndërtimore e Zjarrfikësve dhe sigurisht pasi kemi denoncuar gjithë këtë plan monstruoz që është duke e përgatitur komuna, që ata e quajnë studim i fizibilitetit, unë mbrëmë kam pranuar kërcënime nga personi Ibraim Ferati, i cili është vëllai i pronarit dhe autorit të këtij planit të vjedhjes dhe njëkohësisht është edhe pronar i kompanisë që bën ndërtimin e objektit të komunës dhe në të njëjtën kohë është edhe bashkëpronar me dajën e Bilall Kasamit. Ne sot kemi denoncuar në polici këtë kërcënim.”, - deklaroi Bajram Rexhepi nga BDI.

Ndërkohë denoncimin e Bajram Rexhepit e kanë konfirmuar  nga SPB Tetovë.

“Më 30.10.2026, në orën 11:25, në Stacionin Policor të Tetovës, B.R. (48) nga fshati Sellcë e Tetovës, ka denoncuar veprën penale"rrezikim i sigurisë", e kryer ndaj tij nga personi I.F. nga fshati Zherovjan, pronar i një subjekti juridik. Sipas denoncimit, më 29.10.2026, rreth orës 21:47, ai ka pranuar në telefonin e tij celular një mesazh SMS me përmbajtje kërcënuese nga personi I.F., me të cilin njihen më parë.”, thuhet në komunikatën me shkrim nga SPB Tetovë.

Nga ana tjetër, Ibrahim Ferati në përgjigjen e tij thotë se janë të pavërteta akuzat e Bajram Rexhepit.

“Të dhënat e zotëri Bajram Rexhepit, të dhënat për mediumet, përkasin kërcënim të pretenduar që janë totalisht të pavërteta  dhe ajo vërtetohet me sms mesazhin që ia kam dërguar. Mesazhin si foto-dokumentacion ua dërgoj shtojcë këtij mesazhi.”, thuhet në mesazhin e dërguar.

Pas shtyrjes së shqyrtimit në Këshillin Komunal, më 3 nëntor Komuna e Tetovës do të organizojë debat publik për të diskutuar detaje të projektit për ndërtimin e një kompleksi administrativ-komercial në parcelën e zjarrfikësve në Tetovë, përmes partneritetit publiko-privat. (Visar Sadiku, TVM2)