Operacionet e dyshimta, u arrestua pronari i “Sante Plus”
Me urdhër të prokurorit publik...

Me urdhër të prokurorit publik kompetent nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen Penale të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit policia ka zbatuar arrestime të reja lidhur me keqpërdorimet gjatë faturimit të operacioneve të syve.
Kreu i bordit të rrjetit spitalor “Sante Plus”, Bilall Kara, ka ngelur pa dokumente udhëtimi, ndalim për të udhëtuar jashtë vendit dhe masë për t’u paraqitur në gjykatë.
“Zyrtarët e policisë, duke vepruar sipas urdhrave të prokurorit publik kompetent nga Zyra e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen Penale të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, kanë privuar nga liria personin B.K. për veprën penale, pastrim të parave dhe të ardhurave të tjera për vepër penale.”, - deklaroi Goce Andreevski nga MPB.
Ndërkohë gjykata ka caktuar masa kujdesi për gjithsej nëntë të dyshuarit në rastin “Sante Plus”, i cili lidhet me dyshimet për keqpërdorime gjatë faturimit të operacioneve të syve në këtë spital privat dhe dëmtimin e Fondit për Sigurim Shëndetësor prej rreth 1.7 milion eurosh.
Spitali mohon dyshimet e tilla.
“Institucioni ynë nuk ka dëmtuar kurrë asnjë pacient, qoftë nga pikëpamja shëndetësore apo morale. Përkundrazi, për më shumë se një vit pa mbështetje nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, kemi arritur të ruajmë cilësinë, humanitetin dhe përballueshmërinë e ndërhyrjeve oftalmologjike për të gjithë.”.
Në kuadër të hetimit, MPB-ja ka ngritur kallëzim penal ndaj 11 personave fizikë dhe një personi juridik. Sipas pretendimeve në kallëzimin penal, dy ish-drejtorë të Fondit për Sigurim Shëndetësor, së bashku me përfaqësues të spitalit privat, dyshohet se në vitin 2020 kanë lidhur marrëveshje në kundërshtim me procedurat dhe aktet e brendshme të Fondit.
Sipas MPB-së, dëmi ndaj buxhetit të Fondit për Sigurim Shëndetësor vlerësohet në 104.8 milionë denarë, përkatësisht rreth 1.7 milionë euro. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)
