Dita Botërore e Kursimit: 7,4 mld euro niveli i kursimeve në banka

31.10.2026 17:04

Sot është Dita Botërore e Kursimit...

Pavarësisht sfidave ekonomike dhe inflacionit, të dhënat e fundit tregojnë se qytetarët e vendit tonë megjithatë e ruajnë traditën e kursimit dhe dinë të lënë mënjanë një pjesë të të ardhurave të tyre.
 
Dikush më shumë e dikush më pak, por kursimi vazhdon. Këtë gjë e treguan të dhënat e fundit zyrtare të Shoqatës Bankare të Maqedonisë dhe Bankës Popullore, sipas të cilave, gati 7,4 miliardë euro, ose më saktë 454,99 miliardë denarë, është shuma e parave që amvisëritë në Maqedoninë e Veriut mbajnë në sistemin bankar. Shifrat tregojnë se depozitat e amvisërive përbëjnë pjesën dërrmuese të depozitave të përgjithshme në vend.
 
Një pjesë e qytetarëve thonë se falë disiplinës së madhe financiare, arrijnë të kursejnë disa më shumë e disa më pak në muaj. Pranojnë se lënia mënjanë e një shume të konsiderueshme nuk është aspak e lehtë.
 
Shpeshherë janë të detyruar të kufizojnë dhe të reduktojnë shpenzimet e përditshme, me qëllim që kursimet e tyre të shndërrohen në një siguri të rëndësishme financiare për përballimin e situatave të paparashikuara në jetë.
 
“Me pak ekonomi  dhe vemendje arrijmë të kursejmë pak”, deklaroi qytetari.
 
“Me pensionet aktuale nuk mund të kursesh asgjë. Gjithsesi je në minus. Por  nëse arrin të kursesh diçka atëherë  është mirë ta kesh për situata që në jetë kanë shumë më tepër rëndësi”, u shpreh qytetari.
 
“Kursej por jo shumë. Ndonjëherë arrij të kursej më shumë, e ndonjëherë më pak”, theksoi qytetari.
 
Megjithatë pas shifrave të konsiderueshme të kursimeve fshihet edhe një realitet tjetër, vlerëson profesori universitar Arben Halili për TVM2. Një pjesë e konsiderueshme e mjeteve financiare të kursuera nuk depozitohen me afate të caktuara, por qëndrojnë në llogaritë rrjedhëse bankare, prej nga përdoret për mbulimin e shpenzimeve të përditshme dhe pagesën e faturave.
 
Në anën tjetër, ndarja e rregullt e një pjese të të ardhurave, sado e vogël të jetë ajo, me kalimin e kohës mund të shndërrohet në një siguri të rëndësishme financiare për përballimin e situatave të paparashikuara.
 
Andaj Halili vlerëson se mbajtja e parave vazhdimisht në dispozicion, pa i depozituar apo investuar, nuk është zgjidhja më e mirë, pasi ato nuk vihen në funksion të ekonomisë dhe rrezikojnë të humbin vlerën.
 
“Ajo që aktualisht po ndodh me qytetarët e Maqedonisë, pavarësisht se ka një krizë të madhe në aspekt të mbulimit të shpenzimeve elementare për jetes për një familje, në anën tjetër statstikat flasin që ka një vëllim të konsiderueshëm të mjeteve finansiare të cilët ngelin nëpër banka qendrore, të pa dhëna në funksion të ekonomisë. Prandaj e rëndësishme është që në një farë forme qytetarët të binden ose të kuptojnë se mbajtja e mjeteve të lira finansiare në banka pa mos i depozituar ato për të fituar normat e interesit ose pa mos i vënë në funskion nëpër fondet e ndryshme investuese sigurisht se vlera e tyre humbet. Prandaj ka nevojë për një edukim finansiar dhe ata të cilët kanë mjete të lira në dispozicion t’i venë në shërbim të ekonomisë ose në sherbim të fondeve të ndryshme investuese”, deklaroi profesori universitar Arben Halili.
 
Sigurisht, analizon më tej Halili, hezitimi për t’i investuar kursimet buron, ndër të tjera, edhe nga mungesa e stabilitetit politik dhe e informacionit për mundësitë që këto mjete të sjellin të ardhura shtesë në buxhetin familjar. Për këtë arsye, ai apelon që mjetet e tepërta financiare me mençuri të orientohen drejt depozitimit apo investimit.
 
“Prandaj, funskionimi I shtetit ligjor dhe gatishmëria e shtetit për të garantuar për depozitat edhe pse ne kemi një ligj i cili garanton depozitat finasiare prap se prap mbase edhe mungesa e informacionit tek depozituesit potencial të këtyre fondeve bën që qytetarët të mos jenë tw gatëshëm t’i vëndojnë në funskion dhe preferojnë që mjetet e tyre finansiare ata që kanë mundësi ose tepricë kushtimisht thënë t’i kenë në dispozicion në çdo kohë”, theksoi Halili.
 
Depozitat e përgjithshme në vend shënojnë rritje të lartë vjetore prej 9,2 për qind. Ajo që është veçanërisht inkurajuese është rritja e depozitave me afat prej 5,7 për qind në nivel vjetor.
 
Kjo tregon se qytetarët megjithatë arrijnë të lënë mënjanë një pjesë të parave për një periudhë më të gjatë. Dita Botërore e Kursimeve shënohet në mbarë botën më 31 tetor çdo vit, dhe përgjatë kësaj dite fokusi është në rëndësinë e kursimit për të ardhmen.
 
REXHEP QAMILI