Në Bërvenicë votohet në raundin e dytë për zgjedhjen e kryetarit të komunës
Në dhjetë vendbanime të Komunës së Bërvenicës sot po mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar komune....

Në dhjetë vendbanime të Komunës së Bërvenicës sot po mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar komune. Votimi ka filluar në orën 07:00, ndërsa vendvotimet do të jenë të hapura deri në orën 19:00.
Në Listën Zgjedhore janë të regjistruar 16.256 votues, prej të cilëve 449 ndodhen për punë të përkohshme jashtë vendit, ndërsa nëntë persona janë në burg ose në paraburgim.
Në raundin e parë, të mbajtur më 18 tetor, morën pjesë gjashtë kandidatë, por asnjëri nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme. Atëherë në votime dolën 7.565 qytetarë, përkatësisht 46,56 për qind e votuesve të regjistruar.
Fitues në raundin e dytë do të shpallet kandidati që do të marrë numrin më të madh të votave. Nëse edhe pas raundit të dytë nuk zgjidhet kryetari i komunës, për çfarëdo arsye, Komisioni Komunal Zgjedhor brenda 15 ditëve e njofton Qeverinë.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve do t'i publikojë në mënyrë të njëpasnjëshme rezultatet fillestare të pranuara në rrugë elektronike, ndërsa rezultatet në bazë të të dhënave nga procesverbalet e Komisionit Komunal Zgjedhor duhet të publikohen brenda 12 orëve pas përfundimit të votimit. Rezultatet përfundimtare KSHZ-ja i publikon menjëherë, por jo më vonë se 24 orë pasi ato të marrin formë përfundimtare.
