Mickoski komenton rezultatin në Bërvenicë: Qeveria do t'i mbështesë të gjithë banorët
Mickoski ka reaguar pas publikimit të rezultateve preliminare të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Bërvenicës...

Kryeministri Hristijan Mickoski ka reaguar pas publikimit të rezultateve preliminare të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Bërvenicës, ku kandidati i mbështetur nga VMRO-DPMNE, Stojanço Radiçevski, nuk arriti të sigurojë shumicën e votave.
Përmes një postimi në Facebook, Mickoski ka deklaruar se partia e tij ishte e vetme përballë të tjerëve, duke akuzuar kundërshtarët politikë për përdorimin e çështjeve demografike dhe kombëtare gjatë garës zgjedhore.
“Të vetëm kundër të gjithëve. Ne me program dhe koncept zgjedhor, ata me mbështetjen e demografisë, kartën kombëtare dhe ndonjë kalë Troje për të tërhequr vota.”, - ka shkruar Mickoski.
Ai ka theksuar se, pavarësisht rezultatit, kandidati i VMRO-DPMNE-së ka shënuar rritje të numrit të votave krahasuar me raundin e parë dhe zgjedhjet parlamentare.
“Rritja e votave nga raundi i parë është e qartë, nga 3.000 në 4.200, ndërsa krahasuar me zgjedhjet parlamentare kemi rritje prej 1.300 votash, por fatkeqësisht kjo nuk ishte e mjaftueshme për një fitore të plotë.”, - ka deklaruar kryeministri.
Mickoski ka falënderuar qytetarët e Bërvenicës, duke theksuar se mbështetja e Qeverisë do të jetë e njëjtë për të gjithë banorët, pavarësisht se për cilin kandidat kanë votuar.
“Një Bërvenicë për të gjithë është më shumë se një koncept, është mënyrë pune.”, - ka përfunduar Mickoski.
Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim, Arkin Jahiji, ka marrë 4.442 vota, ose 50,36 për qind, ndërsa Stojanço Radiçevski nga VMRO-DPMNE ka siguruar 4.177 vota, përkatësisht 47,36 për qind.
Diferenca mes dy kandidatëve është 265 vota, ndërsa rezultatet mbeten preliminare deri në konfirmimin përfundimtar nga organet zgjedhore.
