Banka Popullore: Banka ALTA në Manastir vazhdon të funksionojë
ALTA Banka SHA Manastir vazhdon të funksionojë dhe nuk është në falimentim, ndërsa licenca e saj e punës mbetet në fuqi...

Banka ALTA ShA Manastir vazhdon të funksionojë, ndërsa vendosja e administrimit të përkohshëm nuk nënkupton mbylljen e bankës dhe as aktivizimin e mekanizmit për kompensimin e depozitave përmes Fondit të Sigurimit të Depozitave. Këtë e bëri të ditur Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut, duke sqaruar se kjo masë është ndërmarrë ekskluzivisht për shkak të zhvillimeve që lidhen me aksionarin me pjesëmarrje të kualifikuar, Banka ALTA ShA Beograd.
Nga Banka Popullore theksojnë se banka në Manastir është likuide, ka kapitalizim të lartë, cilësi të mirë të portofolit të kredive dhe i përmbush standardet mbikëqyrëse. Ajo nuk është në falimentim dhe licenca e saj për ushtrimin e veprimtarisë nuk është revokuar.
Ndërkohë, është kufizuar përkohësisht dinamika e daljes së mjeteve financiare nga banka. Për personat fizikë është përcaktuar një limit javor prej 10.000 denarësh, për personat juridikë do të mund të kryejnë pagesa të brendshme pa kufizime, por nuk do të mund të transferojnë mjete jashtë bankës përmes sistemeve vendore të pagesave dhe as të tërheqin para të gatshme nga bankomatët apo sportelet e bankës. Pranimet e mjeteve nga jashtë përmes SEPA-s dhe bankave korrespondente do të vazhdojnë pa pengesa. Ndërsa pagesat dalëse drejt vendeve të huaja do të jenë përkohësisht të pamundura, si për personat fizikë, ashtu edhe për personat juridikë.
Institucioni u bën thirrje qytetarëve që të informohen vetëm përmes burimeve zyrtare dhe të mos marrin vendime bazuar në informacione të pakonfirmuara. Njëkohësisht, thekson se tërheqja masive e mjeteve financiare nuk është në interes të kursimtarëve.
