Ekonomi

KRrE: Nga mesnata shtrenjtohen benzina dhe dizeli

02.11.2026 15:52

KRrE ka marrë vendim për rritjen e çmimeve të derivateve të naftës...

Komisioni Rregullator i Energjetikës (KRrE) ka marrë vendim për rritjen e çmimeve të derivateve të naftës mesatarisht për 1,55 për qind, krahasuar me vendimin e mëparshëm të 26 tetorit.
 
Sipas vendimit të ri, i cili hyn në fuqi më 3 nëntor, nga ora 00:01, çmimet e benzinave EUROSUPER BS-95 dhe EUROSUPER BS-98 rriten për dy denarë për litër, ndërsa çmimi i EURODIZELIT rritet për një denar për litër.
 
Me këtë ndryshim, një litër EUROSUPER BS-95 do të kushtojë 93 denarë, EUROSUPER BS-98 do të shitet për 95 denarë, ndërsa EURODIZELI do të kushtojë 100 denarë për litër.
 
Çmimi i vajit ekstra të lehtë për amvisëri mbetet i pandryshuar, në 110 denarë për litër. Ndërkohë, mazuti shtrenjtohet për 1,30 denarë për kilogram dhe do të kushtojë 55,573 denarë për kilogram.
 
Nga KRrE sqarojnë se gjatë përllogaritjes së çmimeve janë marrë parasysh lëvizjet e çmimeve të derivateve në tregjet botërore dhe ndryshimi i kursit të denarit ndaj dollarit amerikan. Në vendim janë përfshirë edhe masat e Qeverisë për uljen e TVSH-së së dizelit në 10 për qind, si dhe uljen e akcizës për dy denarë për litër për benzinat dhe katër denarë për litër për dizelin.
 
Komisioni thekson se çmimet e reja, të cilat hyjnë në fuqi nga mesnata, paraqesin çmimet maksimale të shitjes me pakicë të derivateve të naftës.