Në RMV regjistrohen 4 të prekur nga fruthi, Klekovski apel për vaksinimin e fëmijëve
02.11.2026 17:38
Në vend janë regjistruar katër raste me fruth, tre prej të cilëve janë foshnje nën 12 muajsh...

Në vend janë regjistruar katër raste me fruth, tre prej të cilëve janë foshnje nën 12 muajsh dhe një i rritur rreth 40 vjeç. Të gjithë të prekurit janë të pavaksinuar, bëjnë të ditur autoritetet shëndetësore.
Tre të prekur janë nga Shkupi, Velesi dhe Shtipi, ndërsa i prekuri i katërt nga fruthi është nga Republika e Kosovës. Pas regjistrimit të këtyre rasteve është mbledhur edhe Komisioni për Sëmundje Infektive, nga i cili apelojnë për vaksinimin e fëmijëve.
“Vaksinohuni, kontrolloni nëse keni marrë dy dozat e vaksinës, apo nëse e keni kaluar fruthin. Nëse keni temperaturë dhe kruarje mos shkoni te mjeku, por paraqituni me telefon te mjeku, pasi fruthi është ngjitës dhe çdo shkuarje te mjeku deri sa prisni radhë paraqet rrezik për përhapjen e fruthit.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
Autoritetet shëndetësore theksojnë se rrezik paraqet numri i ulët i të vaksinuarve, pasi vitin e kaluar vetëm 62% e fëmijëve e kanë pranuar dozën e parë të MRP vaksinës. Madje edhe në disa komuna të Shkupit një në tre fëmijë nuk është vaksinuar. Në vendet fqinje numri i të prekurve nga fruthi është më i lartë, përkatësisht në Republikën e Kosovës janë regjistruar 150 të prekur, derisa në Bullgari ky numër ka tejkaluar 500 të prekur nga fruthi.
VLORA LATIFI TOPOJANI
