Maqedoni
Gashi dhe Sivanjanam, debat me të rinjtë për mendimin kritik
03.11.2026 14:10
Gashi dhe Sivanjanam ishin nikoqir të debatit me nxënës të shkollave të mesme, studentë dhe deputetë....

Kryetar i Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi, dhe ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Maja Sivanjanam, ishin nikoqir të debatit me nxënës të shkollave të mesme, studentë dhe deputetë. Arsimi joformal si hapësirë për mendim kritik, nxitja e të menduarit kritik në arsimin formal, burimi i informimit të të rinjtë në Maqedoninë e Veriut, ishin vetëm disa nga temat e diskutimit.
“Sot po ballafaqohemi me një paradoks, ku kemi në shërbim shumë informacione, por kjo nuk nënkupton se dimë më shumë apo kemi më shumë aftësi për të ndërtuar një mendim kritik. Të rinjtë janë të ekspozuar nën ndikimin e hapësirës digjitale, sepse rrjetet sociale që një kohë nuk janë vetëm mjet komunikimi, por edhe informacione të rëndësishme në ndërtimin e perceptimit të tyre. Prandaj mbrojtja nga dezinformatat është mbrojtje edhe e demokracisë, sepse detyra jonë nuk është t’u tregojmë të rinjve se çfarë duhet të mendojnë, por t’i përgatisim që vet të mendojnë.”, - theksoi kryetari i Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi.
“Më paraqet kënaqësi që sot jemi këtu në shtëpinë e demokracisë, ku duhet t’i shikojmë gjërat në disa këndvështrime. Këndvështrimi i ndryshëm i gjërave është edhe thelbi i demokracisë. Por, ju të rinjtë, por edhe ne, duhet ta njohim dezinformatën dhe qëllimin e saj. Të gjithë ne, sot brenda ditës përballemi me shumë informacione nga më të ndryshme, dhe të gjitha këto informacione janë ngushtë të lidhura me jetën dhe të ardhmen tonë, prandaj ne duhet ta gjejmë burimin e informacionit, saktësisë dhe qëllimin e lansimit të së njëjtës. Sot me inteligjencën artificiale e kemi shumë të vështirë ta njohim fotografinë apo videon e vërtet nga jo e vërteta.”, - theksoi ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar në RMV, Maja Sivanjanam.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, po ashtu theksoi se Parlamenti, përpos që është shtëpia ligjvënëse, ajo është edhe shtëpia e të gjithë të rinjve.
FITIM KRYEZIU
