Maqedoni

Kriza e Bankës ALTA, Partitë shkëmbejnë akuza për lidhje financiare

03.11.2026 15:05

Kriza e Bankës serbe ALTA vazhdon të shkaktojë reagime politike në Maqedoninë e Veriut....

Kriza e Bankës serbe ALTA vazhdon të shkaktojë reagime politike në Maqedoninë e Veriut. Edhe sot, LSDM-ja opozitare ka sulmuar VMRO-DPMNE-në me pretendime se nëpërmjet Bankës ALTA, ish-presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka transferuar para në Maqedoninë e Veriut.
 
“Për shumë njerëz sot, kjo është e paimagjinueshme, por së shpejti do të mbeten të shokuar nga detajet që lidhen me VMRO-në dhe Mickoskin, si dhe me lidhjet e tyre kriminale me SNS-në dhe Vuçiqin. Pse Guvernatori e fsheh se sa para ka transferuar Vuçiqi në Maqedoni? A kanë mbetur fondet këtu, apo kanë vazhduar rrugën drejt Moskës? Tani që Banka Popullore ka marrë kontrollin, ata nuk mund të pretendojnë se nuk janë në dijeni.”, - deklaroi Aleksandar Dimitrieviq nga LSDM.
 
Por, VMRO-DPMNE-ja thotë se këto pretendime kanë një qëllim të vetëm, të shkaktohet krizë dhe panik, që në fund bankën serbe ta blejë një biznesmen i afërt me Filipçen dhe Zaevin.
 
“Plani i Filipçes dhe LSD-së është zbuluar. Veprimet e tyre gjatë muajve të fundit nuk janë diktuar nga ndonjë agjendë e "Botës Serbe", por nga interesat e biznesit të Filipçes dhe mentorit të tij, Zaevit. Në rastin e Bankës ALTA, qëllimi i Filipçes dhe LSD-së është të nxisin panik dhe kaos në sektorin bankar – duke pretenduar se banka është në prag të kolapsit dhe pa likuiditet – në mënyrë që, në fund, një biznesmen i afërt me Filipçen dhe Zaevin të mund t'i blejë aksionet me një çmim tejet të ulët.”, - theksoi Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
 
Debati për Bankën ALTA ka përfshirë edhe partitë shqiptare. BDI-ja opozitare kërkon të zbardhen lidhjet e mundshme mes vendimeve politike dhe interesave bankare. 
 
“Rasti i Bankës ALTA ngre pyetje që shkojnë shumë përtej problemeve të një banke. Bëhet fjalë për menaxhimin e mjeteve publike, sigurinë financiare të institucioneve publike dhe lidhjen e mundshme ndërmjet vendimeve politike dhe interesave bankare.”, - thanë nga BDI.
 
Ndërsa partia qeverisëse VLEN kërkon sqarim nga kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, për, siç thonë, lidhjet familjare me kompaninë që e solli Bankën ALTA në Maqedoninë e Veriut. 
 
“Më 24 tetor 2024, AS Senjak, kompani e krushkut të Ali Ahmetit, fitoi aksione në Bankën Ekonomike Manastir nga një kompani e lidhur me Sasho Mijallkovin. Më 9 qershor 2025, një kompani ku AS Senjak është bashkëpronar, mori kredi prej 5 milionë eurosh nga Banka ALTA në Beograd. Më 17 shtator 2025, aksionet iu shitën Bankës ALTA. Vetëm gjashtë ditë më vonë, një komunë e udhëhequr nga BDI-ja i dha AS Senjakut dy kontrata me vlerë prej 90 milionë denarësh.”, - thanë nga VLEN.
 
Aktualisht, Banka ALTA është nën administrim të jashtëzakonshëm nga Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut, e cila ka deleguar 3 administratorë që udhëheqin punën e bankës. Tërheqja e parave nga klientët është kufizuar në 10.000 denarë në javë. 
 
BENJAMIN ARIFI