Gjykata Penale, Përparim Bajrami lirohet nga paraburgimi
03.11.2026 16:15
Gjykata Themelore Penale në Shkup ka pranuar kërkesën e mbrojtjes së Përparim Bajramit...

Gjykata Themelore Penale në Shkup ka pranuar kërkesën e mbrojtjes së Përparim Bajramit, i akuzuar i parë në rastin “Lotaria”, për zëvendësimin e masës së paraburgimit me garanci në vlerë prej 1.140.781 eurosh, në formë të pasurisë së paluajtshme.
Këshilli Penal i Gjykatës ka vendosur të pranojë garancinë dhe të shfuqizojë masën e paraburgimit ndaj Bajramit, i cili akuzohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar”, për të cilën parashihet dënim me burg deri në pesë vjet. Sipas njoftimit të Gjykatës, Bajrami më 9 shtator 2026 ishte paraqitur vetë për vuajtjen e masës së paraburgimit në Burgun e Shkupit.
Ndërkohë, afati ligjor prej 60 ditësh për mbajtjen e tij në paraburgim përfundon më 8 nëntor. Për të siguruar praninë e tij gjatë procedurës gjyqësore, Gjykata i ka caktuar edhe masa shtesë të kujdesit, konfiskimin e dokumentit të udhëtimit, ndalimin e pajisjes me dokument të ri për kalimin e kufirit shtetëror dhe detyrimin për t'u paraqitur rregullisht në Gjykatë.
Përparim Bajrami do të lirohet nga Burgu i Shkupit pasi garancia të regjistrohet përmes hipotekës në Kadastrën e Patundshmërive.
ARTAN NUHIU
