Gjendja me fruthin në vend, Klekovski: Nuk ka vend për panik

03.11.2026 16:12

Është regjistruar një rast i ri me fruthin, ku gjithsej janë 4 të prekur në vend dhe një shtetas i huaj....

Është regjistruar një rast i ri me fruthin, ku gjithsej janë 4 të prekur në vend dhe një shtetas i huaj. Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, bëri të ditur se ekzistojnë dyshime për lidhje epidemiologjike mes të infektuarve, ndërsa një pjesë e kontakteve dyshohet se kanë ndodhur në institucionet shëndetësore. Megjithatë, sipas tij, për momentin nuk ka vend për panik. Klekovski apeloi te qytetarët që të kontrollojnë statusin e vaksinimit, duke theksuar se nuk mbështet masa të detyrueshme.
 
“U bëj thirrje ndërgjegjes dhe vetëdijes së qytetarëve. Personalisht nuk besoj në masa shtrënguese, pasi ato vetëm sa e rrisin rezistencën ndaj vaksinimit. Secili prej nesh duhet të verifikojë nëse i ka marrë dy dozat e vaksinës apo nëse e ka kaluar sëmundjen. Unë e kam kaluar fruthin në moshën 15-vjeçare dhe e kam kaluar mjaft rëndë, ndaj u rekomandoj të gjithëve të vaksinohen.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski. 
 
Autoritetet shëndetësore po hetojnë kontaktet e personave të infektuar, ndërsa janë kryer kontrolle në institucionet ku mund të ketë ndodhur përhapja e virusit. Ministri paralajmëroi se fruthi është ndër sëmundjet më ngjitëse dhe se virusi mund të mbetet në ajër deri në dy orë. Prandaj, personat që shfaqin simptoma duhet fillimisht të kontaktojnë mjekun përmes telefonit, ndërsa fëmijët me simptoma nuk duhet të dërgohen në shkolla dhe kopshte. Klekovski theksoi se vaksinimi është veçanërisht i rëndësishëm për mbrojtjen e rreth 15 mijë foshnjave nën moshën njëvjeçare, të cilat ende nuk mund të marrin vaksinën rutinë.
 
“Thirrja për vaksinim është për të mbrojtur ata që nuk mund të vaksinohen. Foshnjat deri në 12 muaj nuk mund të vaksinohen. Kështu që ne kemi vazhdimisht një grup prej rreth 15 mijë foshnjash që ndodhen në një rrezik të caktuar. Dy doza vaksinimi do t'i mbrojnë foshnjat dhe ata që nuk mund të vaksinohen e që nuk kanë mundësi të vendosin vetë.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski. 
 
Klekovski tha se institucionet nuk kanë të dhëna të konfirmuara për një përhapje më të gjerë të fruthit në kopshte, pavarësisht informacioneve jozyrtare. Instituti i Shëndetit Publik pritet të përfundojë analizën epidemiologjike për të përcaktuar lidhjen mes rasteve të regjistruara.
 
BELINDA KOKA ADEMI