Maqedoni

Ndërtimi i objektit të ri komunal të Tetovës nxit përplasje mes opozitës dhe kryetarit Kasami

03.11.2026 15:52

Ndërtimi i objektit komunal përmes partneritetit publiko-privat, ka nxitur përplasje mes këshilltarëve komunalë dhe kryetarit Bilall Kasami....

Ndërtimi i objektit komunal përmes partneritetit publiko-privat, në hapësirën e zjarrfikësve të Tetovës, ka nxitur përplasje mes këshilltarëve komunalë dhe kryetarit Bilall Kasami. Në debatin publik, opozita kërkoi revizion të pavarur të studimit të fizibilitetit, ndërsa Kasami këmbënguli se projekti është i domosdoshëm për komunën. 
 
"Andaj kërkojmë sa më shpejt dhe urgjentisht revizion të plotë e të pavarur të studimit të fizibilitetit. Propozimi ynë është i thjeshtë: t'ia dërgojmë studimin një kompanie prestigjioze dhe kredibile, siç është Deloitte, dhe kompanive të tjera që janë të pranishme edhe në Maqedoninë e Veriut.", - deklaroi Berat Murati nga AKI.
 
Kritik ishte edhe këshilltari i “Më Mirë për Tetovën”, Agron Arifi. Ai tha se mungesa e hartuesit të studimit në debat dëshmon, sipas tij, se projekti ka probleme serioze.
 
"Marrja e funksionit të kryetarit të komunës nuk ia jep të drejtën të tregtojë me pronën publike të Tetovës. Vlerat që u përmendën në debatin publik, edhe nga ekspertët e ndërtimit, nuk përputhen me ato në studimin e fizibilitetit.", - theksoi Agron Arifi nga “Më mirë për Tetovën”.
 
Akuzat i hodhi poshtë kryetari i Tetovës, Bilall Kasami. Ai tha se hartuesi i studimit ka dhënë sqarime para këshilltarëve dhe vazhdon të qëndrojë pas punës së tij. Kasami pranoi se mund të ketë vërejtje, por theksoi se komuna ka nevojë për hapësira të reja pune. Sipas tij, pronësia komunale nuk do të mbetet në 15 për qind, por synohet të arrijë deri në 60 për qind.
 
"Ne sot e pamë të arsyeshme që të diskutojmë, dhe unë, si kryetar, të jap llogari para qytetarëve, sepse kishte shumë manipulime me numrat që janë aty. Ajo përqindje nuk do të jetë 15 për qind, nuk i plotëson, sa do që të jetë, nevojat e komunës. Pjesën tjetër, sipas studimit, do ta blejmë me çmimin e përcaktuar nga ofertuesi më i mirë i asaj. Në këtë rast, ne vlerësojmë se 60% e pjesës do të jetë e komunës si hapësirë publike.”, - theksoi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.  
 
Ndërkaq këshilltaret e AKI-së propozuan që ndërtimi i një qendre administrative të ndërtohet tek Kazerma e Qytetit. Nga ana tjetër, këshilltari i LSh-së, Arlind Murtezani, kritikoi këshilltarët e AKI-së, të cilët kishin kërkuar debat publik me qytetarët, por nuk qëndruan për të diskutuar. Ndërkohë vazhdon të ndërtohet objekti pranë komunës me vlerë mbi një milion euro, por as ky ndërtim nuk arrin të plotësojë kushtet e nevojshme të punonjësve, tha Kasami.
 
VISAR SADIKI